3 vjet pa Ergin

3 vjet pa Ergin

Këngëtari Ergi Dini, humbi jetën në një aksident me motor më 21 nëntor të 2016-ës. Që nga atëherë familja e të ndjerit e kujtojnë me mall nëpërmjet poezive, këngëve dhe në intervista televizive.

Sot në 3 vjetorin e vdekjes babai i këngëtarit, Dashamir Dini ka publikuar një poezi në llogarinë e tij në Facebook, shkruan rtv21.tv

Ai në poezi tregon për mallin që se shuan askush dhe përgatitjet e nënës së Ergit për të marrë një nuse në shtëpi me fustan të bardhë, që kurrë s’do të vijë.

Ergit në 3 vjetorin e largimit…

Ka 3 vjet
që ditet e mija të përcelluara nga malli
janë nxi
e janë ba muzgje.

Ka 3 vjet
që rri i varur
në litarin e durimit,
tuj vëzhgu
yjet që bien nga qielli,
me shpresë
se njeri nga ata
je Ti,
që po kthehesh.

Ka 3 vjet
që Nana jote,
e përhumbur
nën vellon e bardhë
të një endrre të lashtë nënash
përgatit një dasëm
e pret një nuse….
që kurrë s’do të vijë.

Unë endem, e endem
qiejve të verbër të netëve,
për me mujt me gjet
Yllin e shuar të Fatit Tand,
e me ndez
edhe një herë
me flakët e mallit…

Kujtojmë se në muajin tetor, motra e Ergit, Barbara ka publikuar këngën e krijuar nga vetë ai dhe videoklipin e titulluar “Ku je”./21Media