Tensionohen familjarët

Tensionohen familjarët

Gjykata e Gjakovës as sot nuk arriti ta shpallë vendimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e dyfishtë në Malishevë.

Kjo për arsye se lidhur me këtë rast Gjykata e Gjakovës ka vendosur që përsëri të rihapet gjykimi. Por vendimi për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor shkaktoi tensione tek familjarët e viktimave.

Motra e viktimave Bahri e Shani Maloku, Besnike Maloku tha se kjo gjë është provokim i familjes. Ndërsa sipas gjykatësit Gëzim Pozhegu arsyeja e rihapjes së gjykimit u bë për shkak të shqyrtimit të provave në mënyrë të saktë dhe të drejtë. “Qe s’di sa herë janë tu kqyr ato prova, sa herë duhet mu kqyr. Kjo është provokim i familjes ta dini”, ju drejtua Besnike Maloku, trupit gjykues. Motra e viktimave reagoi edhe ndaj të akuzuarit Blerim Maloku, të cilit ju drejtua me fjalët: “çka po m’kqyr o kriminel”.

Lidhur me caktimin e seancës së ardhshme gjyqësore, gjykatësi Gëzim Pozhegu tha se palët do të njoftohen në mënyrë të rregullt e gjithashtu do të njoftohet edhe eksperti mjekoligjor dhe ai i balistikës. Përpos motrës së të akuzuarit, reagime pati edhe nga babai i viktimave, i cili gjykatësit të rastit ju drejtua me fjalët: “a keni fëmijë a jo a?”.Mllefi i babit të viktimave, Tafë Malokut nuk mbaroi me kaq pasi që i njëjti përpos fjalëve, e gjuajti edhe me shishe të akuzuarin Blerim Maloku. Pas këtij veprimi u desht ndërhyrja e zyrtarëve policor për ta larguar të njëjtin nga salla e gjykimit.

Ne seancën e rihapjes se gjykimit i pranishëm nuk u pa i akuzuari Besim Maloku, lidhur me mos praninë e tij në sallë, u tha se njësiti i transportit e ka njoftuar Gjykatën që gjatë rrugës kishin pasur një aksident dhe se do të vonohen gjysmë ore.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë që shtyhet shpallja e aktgjykimit për këtë rast, pasi që edhe të premten e javës së kaluar ishte paraparë shpallja e aktgjykimit por Gjykata e kishte shtyrë për ditën e sotme./kallxo.com