Bahtiri: Nuk e kisha përkrahjen e Qeverisë dhe AKR-së

Bahtiri: Nuk e kisha përkrahjen e Qeverisë dhe AKR-së

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka aderuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje.

Gjatë një ceremonie të veçantë ka bërë të ditur arsyen e këtij veprimi duke përmendur faktin se asnjëherë nuk ka pasur mbështetjen e qeverisë për mbrojtjen e qytetit të Mitrovicës dhe as të anëtarëve të AKR-së ku ai ishte nënkryetar.

Sipas tij, Albin Kurti ishte personi i vetëm i cili në kohët më të vështira kur diskutohej në qendrat evropiane për Mitrovicën, kishte mbështetur jashtëzakonisht shumë, duke ndihmuar dhe orientuar atë në rrugë të drejtë pa bërë ndonjë gabim.

Nuk mund të mos e them një gjë që më ka brengosur tërë jetën prej ardhjes time në pushtet më 2013. Asnjëherë nuk kam pasur përkrahjen e qendrës për të mbrojtur një pëllëmbë të kësaj Mitrovice në të cilën janë pasuruar shumë njerëz, kanë studiuar shumë njerëz, janë shkolluar dhe arsimuar me djersën e minatorëve të Trepçës, në Mitrovicën e cila ka qenë shembull dhe një gjigant i madh i ekonomisë së Kosovës. Dhe kjo është për të ardhur keq prej qeverisë së Kosovës, duke përfshirë edhe partinë në të cilën kam qenë si nënkryetar. Kjo më ka shtyrë që njëherë e përgjithmonë t’i bashkëngjitëm një subjekti politik…Unë e njihja Albin Kurtin prej së largu, por ai më njoftoi mua nga afër dhe më doli në mbështetje duke më takuar mua në atë kohë shumë të shkurtër që kisha në mes të seancave për të më ndihmuar dhe për të më orientuar në rrugë n e drejtë që mos të gaboj në hap pa dije. Unë e falënderoj publikisht dhe prej atëherë e dua me zemër dhe shpirt”, tha Bahtiri.

Në anën tjetër, Albin Kurti, duke i dëshiruar Bahtirit mirëseardhje në Vetëvendosje, tha se ceremonia e sotme është diçka e rëndomtë sepse as ai nuk është për herë të parë në Mitrovicë dhe as Agim Bahtiri nuk është për herë të parë në Vetëvendosje.

Sipas tij, Mitrovica është qyteti ku zhvillohet ekonomia dhe mbrohet shtetësia, ndërsa fati i Kosovës varet dhe matet në Mitrovicë.

Ai shtoi se Kosova është me fat që ka kryetar Bahtirin në Mitrovicë.

Mitrovica nuk është një qytet i zakonshëm, prandaj në Mitrovicë nuk mund të jesh kryetar i zakonshëm. Mitrovica është më shumë se një qytet për popullin dhe shtetin e Kosovës. Mitrovica është qyteti i punëtorëve e minatorëve, është qytet i kulturës dhe shkencës, Mitrovica është qyteti ku zhvillohet ekonomia dhe ku mbrohet shtetësia. Fati i Kosovës varet dhe matet në Mitrovicë. Prandaj besoj se jemi me fat që kemi Agim Bahtirin kryetar në Mitrovicë”, theksoi Kurti.

Ndryshe, Bahtiri u zgjodh kryetar i Mitrovicës si kandidat i Aleancës Kosova e Re, ndërsa në dy mandatet e tij në krye të kësaj komune ka bashkëqeverisur fillimisht me LDK-në, e më vonë me Lëvizjen Vetëvendosje.