Bahtiri nesër do t’i dorëzojë Thaçit peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Bahtiri kërkon nga Veseli që çështja e bashkimit të Mitrovicës të iniciohet edhe në Kuvend

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka bërë të ditur se nesër do t’i dërgojë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit peticionin me nënshkrimet e qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës.

Pas situatës së krijuar me opinionet dhe rekomandimet e MAPL-së të cilat po i bën Sekretarja, unë nesër në ora 10:00 peticionin me mbi 16 584 nënshkrime të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës në një komunë të vetme, do t’ia dorëzoj zyrtarisht edhe presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, me të cilin kam takim zyrtar.”, ka deklaruar Bahtiri.

Ai po ashtu ka kërkuar edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli që ta trajtojë në Kuvend këtë vullnet të qyetetarëve.

Unë peticionin e kam dërguar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm ky institucion si organi më i lartë legjislativ ka kompetencë për trajtimin e tij në mënyrë Kushtetuese, e assesi nuk duhet të ndërhyj MAPL-ja me rekomandime e opinione të qëllimkëqija, të panevojshme dhe pa kurrfarë efekti ligjor.

“Kërkoj nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, si pranues i peticionit, që ta procedoj tutje për t’u votuar nga deputetët në njërën prej seancave të ardhshme pa vonesë.”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Ai është shprehur kundër Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal duke thënë se kjo ministri po luan lojë.

“Është e turpshme loja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe veçanësisht Sekretares së kësaj ministrie me vullnetin e 16 584 qytetarëve të Mitrovicës, të cilët në mënyrë ligjore e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre Kushtetuese duke kërkuar bashkimin e Mitrovicës në një komunë të vetme.”, ka reaguar Agimi Bahtiri.

Megjithatë në fund Kryetari i Mitrovicës është shprehur optimist se Mitrovica do të bashkohet.

Sidoqoftë, qytetarët e Mitrovicës nuk duhet të brengosen, sepse pavarësisht sfidave dhe pengesave që dikush qëllimisht po i sponzorizon, qyteti i Mitrovicës do të bashkohet së shpejti në një komunë të vetme, ashtu siç ka qenë dhe siç funksionon më së miri.”, ka shkruar Bahtiri.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, Agim Bahtiri ka dalë me idenë për bashkimin e Mitrovicës e lidhur me këtë ka iniciuar edhe një peticion./21Media

Back to top button