“Balena e Kaltër” shqetësim edhe në Podujevë

Në Podujevë fushata fushatë vetëdijësuese për nxënësit

Komandanti i stacionit policor në Podujevë Bekim Bislimi tha se është shqetësuese përfshirja e adoleshentëve në lojën e rrezikshme virtuale “Balena e Kaltër”. Sipas tij bashkë me Drejtorinë e Arsimit kanë ndërmarrë fushatë vetëdijësuese për nxënësit nëpër shkolla.

Bislimi këtë deklaratë e dha sot në mbledhjen e Këshillit komunal për Siguri në Bashkësi në të cilin është raportuar për gjendjen e sigurisë në Komunë; informatën për aktivitetet e Policisë për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime tjera publike; informatën nga Drejtoria e shërbimeve publike Mbrojtjes dhe shpëtimit për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve.

Komandanti Bislimi tha se brenda periudhës raportuese policia ka zhvilluar aktivitete dhe plane operative që kanë pasur të bëjnë me përmbylljen e vitit shkollor, mbrëmjet e maturës dhe semimaturës, mbarëvajtjen e fushatës dhe vetë procesit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

“Të gjitha këto aktivitete janë zhvilluar dhe kanë përfunduar pa ndonjë incident”, tha komandanti Bislimi.

Gjendjen e sigurisë e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.
Lidhur me raportin e përfaqësuesve të organeve të sigurisë, kryetari i komunës Agim Veliu, tha se është shumë i kënaqur që në Komunën e Podujevës kemi një gjendje të mirë të sigurisë.

Kryetari Veliu përgëzoi Policinë e Kosovës për punën dhe angazhimin e bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, kur në Komunën e Podujevës kishte aktivitete të ndryshme, përfshirë këtu fushatën dhe vetë procesin zgjedhor.

“Përgëzoj pjesëmarrësit në proces zgjedhor, subjektet politike, por edhe qytetarët, për mbarëvajtjen e fushatës dhe vetë procesit zgjedhor, i cili u zhvillua pa asnjë incident”, tha kryetari Veliu.
Komandanti i Policisë ka raportuar edhe për aktivitetet për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime tjera publike. Ai tha se ka një plan operativ për vetëdijesimin dhe parandalimin e kësaj dukurie./21Media

Back to top button