U fye nga tifozët e ekipit kundërshtar

U fye nga tifozët e ekipit kundërshtar

Futbollisti i Brescia, Mario Balotelli deshi të braktisë fushën në ndeshjen kundër Veronës, pasi u fye nga tifozët e ekipit kundërshtar mbi baza racore.

Incidenti ka ndodhur në minutën e 60-të, kur një pjesë e tifozëve të Veronës imituan britmat e majmunit. Balotelli ndërpreu aksionin, kapi topin dhe e goditi me tërbim drejt tribunës ku ndodheshin tifozët mysafirë. Ai tregoi se kishte dëgjuar diçka, dhe më pas u drejtua pas portës së Veronës, me qëllim që të linte fushën. Ai u rrethua më pas nga shokët e skuadrës dhe disa lojtarë të Veronës, të cilët u përpoqën ta qetësonin.

Ndeshja u ndërpre për disa minuta pasi gjyqtari kërkoi nga njoftuesi i stadiumit të paralajmëronte tifozët se lojtarët do të tërhiqeshin nga fusha në rast se incidente të ngjashme do të vazhdojnë.

Balotelli mbeti në terren, arriti të shënojë gol, por kjo ishte e pamjaftueshme që të parandalojë humbjen e Brescia (1:2).

“Ne jemi me Mario dhe kundër çfarëdo lloji të racizmit. Racistët janë të padijshëm”, tha agjenti i Balotellit, Mino Rajola.

Në stadiumet italiane, tifozët shpesh imitojnë britmat e majmunëve duke fyer lojtarët me ngjyrë.

Më i fundit në një seri incidentesh ishte me Romelu Lukaku të Inter Milan, ndërsa ishin ofenduar edhe Frank Kesi i Milanit, ish-lojtari i Juventusit Moise Kin dhe Ronaldo Vieira nga Sampdoria.

Federata Italiane e Futbollit deri më tani nuk ka ndëshkuar klubet për incidente me motiv racist, por drejtuesit e saj, si dhe drejtuesit e disa klubeve kanë propozuar zero tolerancë ndaj racizmit.