Banka Botërore ndihmon Kosovën

Banka Botërore ndihmon përmirësimin e konkurrencës së eksporteve dhe produktivitetit në Kosovë

Banka Botërore ndihmon në zvogëlimin e kostove për firmat për testimin e produkteve dhe marrjen e certifikatave të njohura ndërkombëtarisht, përmes një huaje prej 15,3 milionë dollarëve, për të përmirësuar konkurrencën e eksporteve dhe produktivitetit në Kosovë.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, Projekti i Konkurrencës dhe Gatishmërisë për Eksport në Kosovë, i miratuar sot, do të ndihmojë si  firmat ashtu edhe konsumatorët në vend duke mbështetur certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, të tilla si Bashkimi Evropian, duke forcuar kapacitetin e firmave të orientuara kah eksporti, dhe duke ulur koston e inspektimeve të biznesit.

”Këto firma, që përfshijnë rreth 1.500 eksportues, do të përfitojnë nga kostot më të ulëta për këto shërbime, ndërsa 150 firma të tjera do të marrin grante përputhëse për t’i ndihmuar ato në marrjen e certifikatave dhe realizimin e standardeve të produkteve, si dhe në shfrytëzimin e shërbimeve për zhvillim të biznesit. Këto iniciativa janë dizajnuar ashtu që nga ato të përfitojnë drejtpërdrejt konsumatorët në Kosovë, të cilët do të fitojnë mbrojtje të shtuar nga produktet e cilësisë së ulët”, bëhet e ditur në komunikatë.

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli tha se rritja e konkurrencës së eksportit është e domosdoshme për rritje dhe krijim të vendeve të punës në Kosovë. Ndërsa, menaxheri për Sektorin e Tregtisë dhe Konkurrencës, Paulo Guilherme Correa për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore ka thënë se projekti është dizajnuar për të ndihmuar arritjen e njohjes ndërkombëtare për cilësinë e produkteve të Kosovës dhe për të mbështetur dhe theksuar gatishmërinë për eksport të bizneseve në vend”.

”Projekti do ta ndihmojë Agjencinë Kosovare të Metrologjisë (AKM) dhe Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës për t’u kualifikuar për t’i nënshkruar marrëveshjet për njohje me Komitetin Ndërkombëtar të Peshave dhe Masave dhe Forumin Ndërkombëtar për Bashkëpunim/Akreditim të Laboratorëve. Ky kualifikim mund të mbështesë qëndrueshmërinë e Sistemit Kombëtar të Infrastrukturës së Cilësisë të Kosovës. Këto përpjekje do të ndihmojnë si këtë sistem ashtu dhe laboratorët e vendit që të njihen më tej në tregjet me vlerë të lartë, të tilla si Bashkimi Evropian – duke zvogëluar kostot për firmat për marrjen e raporteve dhe certifikatave të testimit të njohura ndërkombëtarisht. Gjithashtu, projekti do të financojë pajisje, do të lehtësojë trajnimin, dhe do të futë në përdorim dhe do të përmirësojë sistemet e TIK-ut për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në reformimin e sistemeve të saj të inspektimit të biznesit”, bëhet e ditur më tutje në komunikatë.

Ndrsyhe, huaja është një kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore, që është një fond për vendet me nevojat më të mëdha për zhvillim. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Afati i maturimit të huas është 25 vjet, duke përfshirë një grejs periudhë 5 vjeçare. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, gjatë një periudhe prej pesë vitesh./21Media

 

Back to top button