Për fuqizimin e Konkurrencës dhe Gatishmërisë për Eksport

Për fuqizimin e Konkurrencës dhe Gatishmërisë për Eksport

Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore në Uashington ka aprovuar projektin e kredisë në vlerë prej 14.3 milionë euro për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë

Sipas një komunikate për media përmes kësaj kredie do të mbështetet fuqizimi i konkurrencës dhe gatishmërisë për eksport për ndërmarrjet kosovare.

“Ky projekt është i një rëndësie të madhe për ndërmarrësit kosovarë dhe do të ndihmojë Kosovën në rritjen e pozitës së saj konkurruese si dhe kapacitetin e prodhuesve kosovarë për eksportim të produkteve të tyre në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë

Sipas kësaj komunikate ky projekt do të ndihmojë në zvogëlimin e kostove për firmat për testimin e produkteve dhe marrjen e certifikatave të njohura ndërkombëtarisht duke ua hapur rrugën për depërtim në tregjet e rajonit, Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Po ashtu, ky projekt do të mbështes procesin e reformimit të sistemit të inspektimeve në Republikën e Kosovës duke ulur numrin e inspektimeve të biznesit por duke rritur efikasitetin e tyre.

Firmat kosovare do të përfitojnë nga kostot e ulëta për këto shërbime, ndërsa një numër i konsiderueshëm do të marrin grante përputhëse për t’i ndihmuar ato në marrjen e certifikatave dhe realizimin e standardeve të produkteve, si dhe në shfrytëzimin e shërbimeve për zhvillim të biznesit.

Projekti në fjalë do ta ndihmojë Agjencinë Kosovare të Metrologjisë (AKM) dhe Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës, të cilat funksionojnë në kuadër të MTI-së, për t’u kualifikuar për t’i nënshkruar marrëveshjet për njohje me Komitetin Ndërkombëtar të Peshave dhe Masave dhe Forumin Ndërkombëtar për Bashkëpunim/Akreditim të Laboratorëve.

Ky kualifikim mund të mbështesë qëndrueshmërinë e Sistemit Kombëtar të Infrastrukturës së Cilësisë të Kosovës. Këto përpjekje do të ndihmojnë si këtë sistem ashtu dhe laboratorët e vendit që të njihen më tej në tregjet me vlerë të lartë, të tilla si Bashkimi Evropian.

Gjithashtu, projekti do të financojë blerjen e pajisjeve, do të lehtësojë trajnimin, dhe do të fusë në përdorim dhe do të përmirësojë sistemet e TIK-ut për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në reformimin e sistemeve të saj të inspektimit të biznesit.

Projekti është një kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore, që është një fond për vendet me nevojat më të mëdha për zhvillim.
Afati i maturimit të huas është 25 vjet, duke përfshirë një grejs periudhë 5 vjeçare. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, gjatë një periudhe prej pesë vitesh./21Media