Banorët afër QKUK-së të mbuluar nga tymi dhe era e keqe

Tymi dhe era e rëndë ua ka vështirësuar jetën banorëve të lagjes së spitalit, të cilët jetojnë fare pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës

Banorët e kësaj lagje ankohen se tymi që po lëshon Kaldatorja, e cila shërben për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar dhe avullit, sidomos gjatë kësaj jave është bërë i padurueshëm.

Imrane Canolli, e cila pos shtëpisë aty ka dhe lokalin në të cilin punon, thotë se nuk mund as t’i hapin dyert, pasi që tymi dhe era që vjen nga aty janë bërë të padurueshme.

E alarmante sipas saj, është edhe fakti që fëmijët e kësaj lagje çdo ditë i ekspozohen këtij ambienti ndotës, i cili paraqet rrezik për ta.

“Çdo ditë rregullisht ka tym. Kur del prej aty krejt mjegulloset këndej, nuk shihet fare dhe ka erë shumë të rëndë, era është shumë e rëndë. Rregullisht ka çdo ditë. Tash këtu në lokal kur punoj, punoj me dyer të mbyllura, shkaku i tymit dhe erës…Tjera herë ka pas më pak, këtë javë ka pasur tepër, është tepër e rëndë, është shumë e rëndë, për banorët që jetojnë këtu, për kalimtarët, për nxënësit. Nxënësit kur të dalin këtu me shku në shkollë, është shumë e rëndë për ta, krejt në kombi hypin këtu, është shumë e rënd për nxënësit që dalin dhe marrin atë tym.. Banorët po ankohen, sepse sidomos për fëmijë është shumë problem.. Këtë javë është çdo ditë, tash me siguru në këtë kohë në 12 e mbas 12 ve është çdo ditë”, tha ajo.

E kjo gjendje është bërë e padurueshme dhe për Esat Krasniqi, i cili thotë se kjo që po ndodh, është e dëmshme për shëndetin e të gjithë banorëve të asaj pjese, e sidomos fëmijëve.

“Po pengon nganjëherë kur ndezët, s’mund kapërcen. Shumica edhe nxënësve që po shkojnë në shkollë i dëmton kur të kapërcejnë këndej. Vjen edhe era e keqe shumë i vjen, sepse mazut është tu u kall, që bëhet për pastrimin e rrobave të spitalit, s’po di çka është duke u ndezur aty.. Kush nuk ndërmarrë masa, kush nuk interesohet për këtë far pune. Mundet me iu shkaktuar më shumë fëmijëve se të mëdhenjve dëmin, që kapërcejnë dhe shkojnë në shkollë.. Ndërkohë e dhezin atë dhe bëhet tymi i madh shumë dhe nuk kapërcehet dhe është shumë i dëmshëm për shëndetin e njeriut ”, tha ai.

Ndërsa Nexhat Canolli, i cili ka një moshë të shtyrë, thotë se kjo po paraqet mjaftë problem dhe për të, duke marrë parasysh moshën që ka. Ndërsa shton se tashmë janë mësuar që në këtë vend të durojnë gjithçka, e edhe këtë tym i cili po ua zë frymën.

“Nuk e di qysh po ua merr mendja me bë atë beter ata. Zift po djegin a nuk e di çka, veq këtu s’ke pse del, gjithë dimrin nuk ke mujt në derë me dal.. Kush është ai që s’ka problem prej tymit.. Gati çdo ditë po ka…Ne s’po kem çka me ba, po durojmë gjithçka e s’po e durojmë atë, çka kemi me ba”, tha ai.

Por Mehdi Krasniqi, drejtor teknik në QKUK thotë për KosovaPress, se tymi është shkaktuar nga një defekt në filtër, por i cili tashmë është rregulluar.

“Në kaldatorën e cila shërben për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar dhe avullit, ka qenë një defekt në filtër. Tashmë kjo gjë është rregulluar dhe çdo gjë është në rregull”, tha ai.

 

Back to top button