Banorët kërkojnë asfaltimin e rrugës së Tërrnit

Banorët kërkojnë asfaltimin e rrugës së Tërrnit

Banorët e fshatrave Bablak, Tërrn, Koshare dhe Luboc të Ferizajt sot në orën 11 nisën protestën me kërkesën e tyre për asfaltimin e një rrugës së Tërrnit.

Protesta u mbajt në kryqëzimin e rrugës Babushi i Ri, ku edhe u bllokua magjistralja Prishtinë-Ferizaj. I pranishëm në protestë ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri.

Tahiri, i cili edhe e ka thirrur këtë protestë tha se vetëm 2 kilometra janë të asfaltuara. Ai shtoi se është  i zhgënjyer që është protesta e tretë me radhë dhe ende nuk ka zgjidhje.

Sipas Tahirit, në këtë protestë do të duhej të ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj për ta parë nga afër.

Ai i bëri thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj që të angazhohet lidhur me kërkesat e këtyre banorëve.

“E kam mik te mirë kryeministrin Haradinaj, po po i bëj thirrje të merr në seriozisht këtë rruge, meqenëse shumica e kemi mbështet lidhur me taksen qe i ka vu Serbisë, por le t’i vendos ndonjë pikë kësaj të keqe që e ka premtuar ministri Lekaj”, tha deputeti Tahiri.

Pas rreth gjysmë ore, policia shpërndau protestuesit./21Media