"Dikush po e politizon rastin, drejtori është nën kërcënim"

“Dikush po e politizon rastin, drejtori është nën kërcënim”

Banorët e Idrizovës insistojnë për hapje të paraleles në shkollën e fshatit ku ata jetojnë. Ata kërkesat dhe hallet e tyre i shprehën përmes emisionit, Click Plus të TV21 i cili u zhvillua në një odë të Idrizovës.

“Ky problem pothuajse është që 11 vite, këtu para meje i kam të gjitha kërkesat që kemi bërë në 2008 dhe 2009. Në atë kohë kërkesa për klasë të pesta ka qenë 22 nxënës, po flas për vitin 2008/09 për klasë të gjashtë kanë qenë 18, për klasë të shtat kanë qenë 7 nxënës, për klasë të 8 kanë qenë 3 nxënës”, tha një banor.

“Qysh mundet, kryeparlamentari flet shqip në kuvend, këtu na thonë fëmija s’mundet të mësoj shqip, kjo është absurde, unë se kuptoj. Nuk mundet një drejtor të manipuloj si të thotë ai”, tha një banor tjetër.

“Kjo është e drejtë sikur e kanë ata të drejtën e tyre, të arsimohen në gjuhën e tyre ashtu është e drejtë edhe e jona. Unë aspak nuk e politizojë politizimin e kësaj çështje dhe nuk i kuptoj bashkëfshatarët tonë maqedonas se pse dalin protestojnë kundër të drejtës tonë”, u shpreh një banor tjetër.

Në odën e debatit përmes telefonit u inkuadrua Ministri i Arsimit Arbër Ademi. U pyet disa herë se kur fëmijët e këtij fshati do të fillojnë me shkollë por nuk dha përgjigje konkrete. Ademi tha se paralelja duhet të hapet, por se drejtori i shkollës mund të jetë i kërcënuar.

“Problemi është se dikush me ngulm një çështje të tillë ta politizojë, mendoj se politika këtu nuk ka nevojë të involvohet por duhet që të procedohen kërkesat e banorëve dhe të hapet paralelja . Tash drejtori i shkollës, tash banorët e dinë edhe më mire se a ndodhet nën kërcënim, a ndodhet nën presion të njerëzve të caktuar apo grupeve të caktuara është që ai më mirë vetë të sqarohet”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni, Arbër Ademi.

Banorët thonë se do të vazhdojnë të insistojnë për hapje të paraleles, ndryshe do t’i radikalizojnë protestat.

“Domosdo mu zgjidh ky problem se do fillojmë me protesta radikale, ku do të bllokohen të gjitha rrugët. Rruga do të bllokohet, shkolla do të bllokohet, autostrada do të bllokohet”, tha një tjetër banor.

Ndryshe prindërit e 13 nxënësve nga fshati Idrizovë në shenjë proteste nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë. Ata shprehën të vendosur pasi siç thonë me vite kanë marrë premtime dhe se çdoherë kanë mbetur të mashtruar./21Media