Banorët kundërshtojnë vendimin e Kastratit

Banorët kundërshtojnë vendimin e Kastratit

Në mesin e 19 shkollave që do të mbyllen në Komunën e Kamenicës është edhe shkolla fillore “Asllan Thaçi” në Karaçevë të Poshtme.

Vendimi është marrë nga kryetari Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Por banorët e këtij fshati kanë kundërshtuar vazhdimisht vendimin e kryetarit të Komunës, kurse kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës së Poshtme, Selver Lenjani tha sot se në momentin që mbyllet shkolla, zbrazja e fshatit është e pashmangshme nga qytetarët.

Ai ka theksuar se banorët janë këmbëngulës që të mos lejojnë mbylljen e shkollave, ndërsa më 2 shtator do të protestojnë kundër këtij vendimi.

Këtë veprim, Lenjani e she edhe si ogur të zi për këtë pjesë të Kosovës, duke shtuar se kjo që po ndodh me shkolla, nuk ka ndodh as në kohën e Rankoviçit dhe Millosheviçit.

Lenjani thotë se Serbia çdo ditë pret zbrazjen e fshatit Karaçevë, pasi Serbia ka pretendime territoriale në këtë vend.

Shqetësuese për kryetarin e Bashkësisë Lokale të fshatit është fakti që institucionet relevante edhe pse janë të njoftuar me problemin e shkollës së Karaçevës, nuk kanë dhënë ndonjë një përgjigje, duke filluar nga presidenti, kryeparlamentari, kryeministri dhe ministri i Arsimit.

Lenjani tha për KP se shkolla teknikisht është në rregull, i plotëson të gjitha kushtet për mësim, ka personal arsimor dhe me numër të mjaftueshëm të nxënësve, ka 100 nxënës.

Ai poashtu tha se “hapja e një shkolle mbyll një burg, kurse mbyllja e një shkolle do të thotë hapja e një burgu”.

Në fund Lenjani ka lutur të gjitha mediat që t’i ndihmojnë në sensibilizimin e kësaj situate, për mbrojtjen e shkollës.

Protesta e paralajmëruar nga banorët e fshatit mbahet më 2 shtator në oborrin e Shkollës Fillove “Asllan Thaçi”, me fillim nga ora 08:00, deri në  orën 12:00.

Kryetari i Komunë së Kamenicës, Qëndron Kastrati, është i bindur që riorganizimi i shkollave është i domosdoshëm. Kastrati thotë se ky riorganizim vjen si rezultat i ndryshimeve demografike që tashmë kanë ndodhur.

Kastrati është në hall me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Këta të fundit ditë më parë paralajmëruan grevë nëse shkollat mbyllen.

Sipas SBASHK-ut, vendimi për mbylljen e 19 shkollave në Kamenicë është vendim i ngutshëm dhe i pa analizuar mirë./21Media