"Përditshmëria jonë është shumë e rëndë"

Përditshmëria jonë është shumë e rëndë”

Banorët e lagjes “Mati 1” protestuan sot në shenjë revolte ndaj Komunës së Prishtinës, e cila tash e sa vjet po neglizhon kërkesat e tyre. Ata me këtë rast dolën edhe me kërkesat e tyre, ndërsa paralajmëruan se protestat e ardhshme do të mbahen edhe para vetë objektit të Komunës së Prishtinës.

Protestuesit me parullat “Edhe ne kemi votuar në Prishtinë”, “Buxheti preje neve, investimet ku janë”, “Pluhuri vret”, “Zotohu për zotimet” dhe shumë të tjera, për gjysmë ore protestuan ndaj neglizhencës së Komunës së Prishtinës, e cila ka anashkaluar problemet e përditshmërisë me të cilat ata përballen.

Organizatori i protestës Dren Shahini ka specifikuar kërkesat urgjente të banorëve të kësaj lagje, siç janë ndriçimi i rrugës, lirimi i trotuareve për lëvizje, largimi i telave të rrymës që rrezikojnë jetën e banorëve, mbylljen e përroit dhe mirëmbajtjen e rrugës nga kompanitë përgjegjëse.

“Përditshmëria jonë është shumë e rëndë. Një rrugë e dëmtuar, e rishtresuar me dy centimetra asfalt, e cila pas dy muajve dëmtohet dhe groposet vetëm nga shiu dhe era. Një pluhur, i cili gjatë verës na i mbyt mushkëritë tona dhe të familjeve tona, dhe një baltë, e cila gjatë dimrit dëmton veturat tona dhe gjithashtu rrezikon edhe më shumë. Mungesa e ndriçimit shkakton pasiguri si te të moshuarit, ashtu edhe te fëmijët. Mungesa e lirisë së lëvizjes për shkak të një cope trotuari, i cili bllokohet nga furnizuesit e lokaleve dhe nga qytetarët që parkojnë veturat aty”, tha Shahini.

Ai theksoi se tash e sa vite banorët e kësaj lagje kanë kërkuar ndërmarrjen e masave nga ana e komunës së Prishtinës, lidhur me zgjidhjen e këtyre problemeve me të cilat ata përballen, por ato kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Protesta ka për qëllim sensibilizimin e organeve komunale së pari me një debat ku do të dëgjohen kërkesat tona. Prej vitit 2016, as vetë kryetari që e kemi zgjedhur ne, nuk ka ardhur për të dëgjuar hallet që kemi ne. Jemi pothuajse lagjja më e banueshme në Prishtinë. Taksat dhe tatimet që vilen prej lagjes sonë, asnjë cent nuk na kthehet si shpërblim në buxhetin komunal. Nuk duhet harruar që kryetari gjatë mandatit, gjatë fushatave elektorale është zgjedhur duke premtuar se është ndërtuar mbi-toka dhe ne do na ndërtojmë edhe nëntokën. Kanalizimi dhe rrjeti u ujësjellësit ka mbetur po i njëjti i 120 shtëpive. Tash imagjinoni, jemi dhjetë mijë familje  dhe në shiun më të pakët tërë kanalizimi del në sipërfaqe”, tha ai.

Shahini i ka bërë thirrje kryetarit Shpend Ahemti dhe Komunës së Prishtinës që të takojë banorët e kësaj lagjeje me qëllim të zgjidhjes së problemeve.

“Kryetari me statutin e komunës së Prishtinës, me përgjegjësitë që dalin prej atij statuti, besoni ose jo, kemi të drejtë çdo ditë t’ia ngremë nga një kallëzim penal për shkak të mos zbatueshmërisë së përgjegjësive të veta, të cilat i ka”, ka thënë ai.

Organizatorët thanë se protesta e sotme është hapi i fundit në këtë formë dhe në këtë vend, ngase protestat e radhës do të mbahen para objektit të komunës.