Rakitiq tha se Barcelona nuk është e kënaqur që do të përballet me Juventusin

Rakitiq tha se Barcelona nuk është e kënaqur që do të përballet me Juventusin

Futbollistët e kombëtares kroate, Ivan Rakitiq dhe Mario Manxhukiq nuk janë të kënaqur që për tetë ditë do të ndeshin forcat në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, ka thënë Rakitiq për gazetën italiane sportive Gazetta dello Sport.

“Barcelona nuk është e kënaqur që do të përballet me Juventusin, ndërsa Manxhukiq më ka thënë se për ata nuk do të jetë e lehtë që duhet të luajnë kundër nesh”, tha futbollisti 29-vjeçar.

Juventus për tetë ditë luan si mysafir në Barcelonë, ndërsa Rakitiq kundër tyre ka shënuar gol në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2015, në të cilën Barcelona fitoi 3:1.

“Ata janë një ekip prestigjioz të futbollit italian. Ndodhen në mesin e pesë ose dhjetë ekipeve më të mira në botë. Kemi luajtur para dy vitesh kundër tyre dhe e dimë se sa janë të fortë”, deklaroi Rakitiq.

Ai ka demantuar pohimet e mëhershme të mediave, sipas të cilave ai, Manxhukiq dhe braziliani i Juventusit, Dani Alves, ish-lojtar i Barcelonës, kanë një grup të veçantë në Whatsapp përmes të cilit kanë komentuar largimin e tij të mundshëm nga Barcelona.

“Kjo nuk është e saktë. Nuk ekziston asnjë grup, në të cilin do të thirrej Juventus”, theksoi Rakitiq.

Reprezentuesi kroat ka vazhduar kontratën me Barcelonën edhe për dy vjet, deri në korrik 2021.

Rakitiq të dielën shënoi golin e tij të gjashtë në paraqitjen e 40-të në këtë sezon për Barcelonën, në fitoren kundër Granadës prej 4:1, në të cilën luajti 87 minuta.

Barcelona në kampionatin spanjoll ka dy pikë më pak dhe një ndeshje më pak se sa rivali i përjetshëm Real Madrid.

“Duhet të vazhdojmë të fitojmë, ende ka mjaft takime deri në fund dhe besojmë në vetvete”, ka porositur asi kroat.