Milani në Prishtinë

Milani në Prishtinë

Skuadra e Milanit sot mbajti konferencën para ndeshjes së sotme ndaj Feronikelit.

Në konferencë për shtyp për skuadrën rosonore u paraqitën Franco Baresi dhe Daniele Massaro.

Ndërkaq, organizatori Agron Selimi fillimisht falënderoi skuadrën e Milanit që pranoi të vijë në Kosovë. “E falënderojmë Milanin dhe po i tregojmë se në Kosovë Milani ka shumë fansa dhe përkrahës” tha Selimi.

Legjenda e Milanit, Franco Baresi tha se Milan me kënaqësi e ka pranuar këtë ftesë dhe shpreson që ta shijojnë këtë udhëtim në Kosovë.

“Jemi mirëpritur nga fansat tanë në Kosovë. Ne e dimë të kaluarën e Kosovës. Kemi qenë paksa të befasuar me pritjen. Ne kemi pranuar me një kënaqësi të madhe ftesën. Besoj qe këtu do ta testojmë edhe cilësinë e futbollit të Kosovës”, u shpreh Baresi.

Daniele Massaro tha se Milani gjithmonë ka qenë e mirëpritur nga fansat anembanë botës, por gjithashtu tha se është befasuar nga tifozët e Kosovës.

“Jam i lumtur për këtë ndeshje. Është një ndeshje që ne bëjmë zakonisht para fillimit të kampionatit. Jemi befasuar nga pritja e tifozëve. Ne deri vonë kemi qenë skuadra me më së shumti tifozë në botë dhe po synojmë të rikthehemi sërish njëjtë”, tha Masaro.

Massaro foli edhe rreth merkatos së skuadrës rosonere, duke thënë se Milan gjithmonë kujdeset të sjellë një top lojtar.

Ndeshja mes Milanit dhe Feronikelit do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.