Barrierat tregtare me Serbinë – rasti “ARDA”

Kompania ARDA nuk arriti që të marrë pjesë në panairin “SJAJ 2017”

Në vazhdën e shumë pengesave që po i shkaktohen bizneseve kosovare nga shtetet fqinje, kompania ARDA sh.p.k . është biznesi i radhës që iu shkaktuan barriera tregtare me shtetin serb.

Kështu është evidentuar në shkresën e Odës së Afarizmit të Kosovës lidhur me barrierat me te cilat u përball ky biznes, ku OAK reagoi edhe kësaj radhe me këtë letër, në mbrojtje të biznesit, e cila po ashtu iu adresua edhe institucioneve vendore.

“Të nderuara autoritete të institucione të Republikës së Kosovës,

Jo rrallë herë Serbia ka përdorur barriera të pa kuptimta për bizneset kosovare, duke ju pamundësuar depërtimin e produkteve në territorin serb ose duke e përdorur territorin serb si transit. Rasti i fundit ka të bëjë me kompaninë “ARDA” sh.p.k, e cila ishte e interesuar që të merrte pjesë në panairin e Novi Sadit “SJAJ 2017” me datë 21-25 nëntor të vitit 2017. Kompania ARDA kishte rezervuar hapësirën (shtandin) ku do të promovonte produktet, si dhe kishte plotësuar të gjitha procedurat e kërkuara nga organizatori dhe shteti serb me qëllim që të realizohej pjesëmarrja në panair”, njoftohet në shkresën e OAK adresuar institucioneve të Kosovës.

Më tej në shkresë theksohet se ”’edhe pse kompania ARDA kishte plotësuar çdo dokument të kërkuar nga autoritetet serbe, niset për në panair, bllombojnë produktet, kalojnë doganën tonë pa problem, paraqiten te doga serbe, ku doganieri serb bënë verifikimin e dokumentacionit dhe I kërkon të pret 15 min, që të ftohet një shpediter serb, I cili do të lëshoj  një document  shoqërues të produkteve tona, të cilat kanë për qëllim pjesëmarrjen në panair. Pas kompletimit të të gjithë dokumentacionit dhe pritjes me orë të tëra, biznesit në fjalë u kishte ardhur një përgjigje nga drejtoria e doganave, se “kinse nuk e kishin në rregull faturën” edhe pse të njëjtën faturë e kishin verifikuar me doganierin, duke u pasuar nga një përgjigje tjetër “tani mund të shkoni vetëm si vizitor”- theksuan nga biznesi ARDA.

Sipas komunikatës, pas shumë pritjesh dhe tentativash për të marrë pjesë në panair, kompania ARDA , u kthye në Kosovë, pra nuk arriti që të marrë pjesë në panairin “SJAJ 2017”.

“Të nderuara autoritete të Institucioneve të Republikës së Kosovës,

Për dijeninë tuaj, vetëm në dy panairet e fundit të organizuara në Kosovë (Njëri i financuar nga buxheti i Kosovës), mbi gjysma e pjesëmarrësve në këto panaire ishin nga Serbia. Për çfarë reciprociteti po flasim me Serbinë, apo për çfarë marrëveshje të CEFTA-s e kemi fjalën, a është Kosova treg për të gjithë, kush do të mund të shes çka do, ndërsa, produkteve tona u krijohen barriera të pakuptimta”, thuhet më tej në shkresën e OAK.

Oda e Afarizmit të Kosovës është e vendosur që të mbrojë interesin e biznesit, prandaj, do të mbajë të informuar për çdo pengesë që do të kenë kompanitë vendore që të dalin me produktet e tyre në tregjet rajonale apo edhe me gjerë.

Kjo shkresë nga OAK  është drejtuar për:

Ramush Haradinaj, kryeministër,

Behgjet Pacolli, zëvëndës kryeministër I parë dge ministër I MPJ,

Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër,

Enver Hoxha, zëvendëskryeministër,

Dalibor Jevtic zëvendëskryeministër dhe ministër për Kthim dhe Komunitete,

Dardan Gashi zëvendëskryeministër

Bedri Hamza, ministër I Financave,

Besim Beqaj, Ministër I Inovacionit, dhe Ndërmarrësisë,

Valdrin Lluka, ministër I Zhvillimit Ekonomik.

Back to top button