Basha: Përmes votës mund të ndryshohet Shqipëria

Iu bënë thirrje qytetarëve të dalin në votime

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se vetëm përmes votës mund të ndryshohet Shqipëria, ndaj duke bërë apel për pjesëmarrje në votime tha se vetëm kështu Shqipëria mund të arrijë etapën tjetër të qytetarisë evropiane në procesin e votimit.

Pasi votoi në Qendrën e Votimit të vendosur në Çerdhen nr. 13 në Njësinë nr. 8, në kryeqytet, Basha dha një prononcim për mediat, ku i bëri apel të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë masivisht në votime.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Është dita kur vendoset me votë, merret vendimi nga qytetarët për qytetarët”, tha Basha, duke bërë apel që shqiptarët të mos mungojnë në këtë vendimmarrje të madhe.

Vetëm përmes votës, shtoi Basha, mund të ndryshohet Shqipëria.

“Ejani dhe hidheni votën. Veçanërisht këtë mesazh e kam për shqiptarët e zhgënjyer. Kjo është mundësia të bëni diçka për të ndryshuar vendin. Vetëm me votën tuaj mund të ndryshoni jetën. Kjo është dita kur ju do të vendosni për jetët tuaja. Ejani të gjithë merrni pjesë në votime, që të arrijmë etapën tjetër të qytetarisë europiane në procesin e votimit”, tha Basha.

Kreu i PD-së shprehu një falënderim të veçantë dhe mbështetjen e tij totale për të gjithë personat që janë përfshirë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, që nga komisionerët, numëruesit etj.

Duke uruar për një proces sa më të mbarë, ai kërkoi që edhe Policia e Shtetit të jetë në lartësinë e detyrës për zbatimin e ligjit, ndërsa theksoi se “edhe ata po ashtu do të kenë mbështetjen time të plotë”.

Basha uroi po ashtu, edhe gjithë shqiptarët për festën e Bajramit.

Back to top button