Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot se për pagat e mjekëve dhe infermierëve do të ndjekë modelin dhe standardin e Kosovës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha sot se për pagat e mjekëve dhe infermierëve do të ndjekë modelin dhe standardin e Kosovës

Gjatë turit të takimit me të rinjtë e Shkodrës, Basha u shpreh se sapo opozita të vijë në pushtet paga bazë për mjekët do të jetë 1200 euro dhe e infermierëve 700 euro.

“Jemi në emergjencë sa i përket shëndetësisë. Kurrë nuk ka patur kaq pak mjekë dhe infermierë për frymë Shqipëria, të paktën këto 40-50 vite. Pra dhe në kohën e diktaturës ka patur më shumë mjekë për frymë se sa sot. Sot jemi në nivele afrikane sepse mjekët dhe infermierët po emigrojnë drejt Gjermanisë. Ka vetëm një zgjidhje, rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve.

Standardi i parë që do aplikojmë si qeveri do të jetë standardi i Kosovës. Rritja e parë e pagave do jetë 1200 euro për mjekët dhe 700 euro në muaj për infermierët. Kjo do ndalë hemorragjinë, por nuk është zgjidhje sepse sistemi shëndetësor ka nevojë për një reformë totale”, tha Basha.

Kryeopozitari Basha tha se duhet të ndalojmë hemoragjinë e mjekëve dhe ti japim mundësinë dhe kushtet të punojnë këtu me rroga dinjitoze e të realizojmë reformë të thellë në shëndetësi.