Alarm për pastrimin e parave

Alarm për pastrimin e parave

Lulzim Basha gjykon se projekti 1 miliard euro nuk duhet të zbatohet, duke parë tek ky projekt, platformën që krimi i organizuar të pastroje paratë.

“Projekti 1 miliard euro duhet ndalur tani. Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të bëhet transparent në çdo detaj. Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të”, tha Basha.

Dalja e Bashës para medias erdhi pak ore pasi rivali politik Edi Rama kishte ironizuar qëndrimin e tij në lidhje me projektin 1 miliard euro dhe lideri i opozitës solli në vëmendje se të njëjtën qasje kryeministri ka zgjedhur sa herë që qeverisja e tij është problematike.

“Herën e fundit që dëgjuam Ramën kur na tha të qeshnim Shqipëria u kthye në hambar droge dhe zonë të lirë të krimit. Tani po na fton përsëri të qeshim. Në fakt është koha të shqetësohemi dhe t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në politikë dhe në ekonomi”, shtoi ai.

Sipas Bashës, nuk është vetëm opozita që ngre alarmin për pastrimin e parave, por edhe partneret ndërkombëtare, pasi në marsin e këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi për herë të parë Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë. Për të sfumuar këtë problematike, sipas Bashës, maxhoranca po përdor edhe shkarkimin e kreut te KQZ Klement Zguri.