Shkarkohet Drilon Gashi

Shkarkohet Drilon Gashi

Bashkësia Islame ka shkarkuar sot nga detyra  imamin e Xhamisë Nur në Vitomericë të Pejës, Drilon Gashi.

Ky i fundit përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është larguar nga ky post me arsyetimin  se ka shkelur parimet e Kuranit.

“Ringjallja e inkuizicionit nga udhëheqësia e sotme e Bashkësisë Islame
Të nderuar miq
Ju njoftoj që sot e mora këtë vendim nga kryesia e Bashkësisë Islame, përmes të cilit më shkëputet kontrata e punës dhe shkarkohem përfundimisht nga detyra e imamit në Xhaminë Nur në Vitomericë të Pejës.
Arsyetimi i tyre çuditërisht thotë se përmes deklaratave të mia paskam shkelur Kuranin dhe traditën profetike!
Ndërsa unë deklaroj që çdo herë jam munduar ta pasoj vetëm argumentin, të vërtetën dhe ti qëndroj besnik rrugës së drejtë dhe Kuranit.”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Ai tutje ka kritikuar mënyrën e funksionimit të BIK në këto vite, sipas tij në këtë institucion mungon të menduarit e arsyeshëm.

“Sa u përket këtyre akuzave, unë do t’i elaboroj ato edhe një herë me gjerësisht dhe në mënyrë argumentuese.
Mirëpo, ajo që dua të theksoj është që dobësia themelore e kësaj pjese të lidershipit të tanishëm të Bashkësisë dhe grupeve tjera islamike në përgjithësi, është mungesa e të menduarit racional. Nëse dëshiron të punosh me ta, ata nuk do t’ju lejojnë të mendoni në mënyrë kritike e as të dialogoni, me pretekstin se po kundërshtoni parimet e dëgjimit dhe bindjes. Ky parim ua lehtëson atyre të eliminojnë çdo mendje kritike të ndonjë prej anëtarëve të tyre, dhe ata që rezistojnë përjashtohen!”, ka shkruar ai.

Drilon Gashi po ashtu është zotuar se nuk do të ndalet asnjëherë që ta hulumtojë të vërtetën.

“Nuk jam i zhgënjyer pse ma mbyllën derën e Xhamisë, më hodhën në rrugë dhe mbeta i papunë, por më dhemb zemra për këtë sistem të instaluar brenda institucionit më të madh fetar në vend, i cili në këtë mënyrë, katërcipërisht po bie nën ndikimin e ideologjive dhe doktrinave fetare politike të jashtme.
Kontributi im nuk do të ndalet asnjëherë.
Hulumtimi dhe gjurmimi i të vërtetës më mban gjallë, më bën të lirë, më jep jetë dhe shpresë.
Zotit i ankohem dhe tek Ai mbështetem.”, ka përfunduar Gashi.

Drilon Gashi muaj me parë përmes një deklarate ka pranuar Teorinë e Evulocionit, ai po ashtu njihet edhe për pohimet e tij se bën të falet edhe në gjuhën shqipe/21Media