OVL e UÇK-së i bën një sugjerim

OVL e UÇK-së i bën një sugjerim

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka njoftuar se Bashkim Gashi nga Suhareka, deri më tani e ka refuzuar ftesën e Gjykatës Speciale.

OVL e UÇK-së ka kërkuar nga mediat që personi në fjalë të lihet i qetë,dhe për çdo informim të kontaktohet organizata e veteranëve.

“Meqenëse Gashi ishte tek ne në zyrë, dhe ftesa i është ofruar për datën 24 shtator 2019, por nuk e ka pranuar pa sqarime shtesë, ne si OVL UÇK, i sugjerojmë që ta pranoj ftesën e ardhshme dhe të mos krijoj presedan për të tjerët”, thuhet në njofim.

Ish ushtari i UÇK-së dhe kapiteni aktual i shtabit të përgjithshëm të FSK-së, Petrit Bojaxhiu, do të intervistohet më 25 shtator.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Gjykata  vepron në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës. Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës. Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media