Bastisje në veri, merr pjesë edhe Njësia Speciale

Aksion me qëllim të luftimit të evazionit fiskal dhe shmangies tatimore

Departamenti i Hetimeve Tatimore (DHTI) dhe Inteligjencës sot në mëngjes ka zhvilluar një aksion kontrolli bastisje në Zubin Potok, në katër lokacione nën dyshimin se janë kryer veprimtari të kundërligjshme – transaksione fiktive.

“Aksioni është zhvilluar me sukses dhe pa ndonjë problem, ku në mbështetje të zyrtarëve të DHTI-së kanë qenë Njësia Speciale. Aksioni është zhvilluar me autorizim të prokurorit”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas këtij njoftimi, janë gjetur disa dëshmi se personat dhe subjektet e caktuara, janë marrë me veprimtari të kundërligjshme – lëshimin e faturave fiktive.

Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova materiale, si: USB dhe dokumentacion tjetër që dëshmojnë shmangie tatimore, vlera e faturave fiktive të lëshuara dyshohet të jetë mbi 4 milionë euro, thuhet në komunikatë.

“Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin për të parandaluar dhe luftuar ekonominë jo-formale. Kjo është bërë duke hartuar dhe zbatuar një sërë ligjesh shtetërore në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duke krijuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë jo-formale”, thuhet tutje në njoftim.

Administrata Tatimore i fton të gjithë bizneset dhe qytetarët që ushtrojnë çfarëdo aktiviteti afarist, t’iu përmbahen kërkesave ligjore në fuqi, të deklarojnë dhe paguajnë me kohë tatimet sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që mos të jenë pjesë e masave ndëshkuese penale, të konfiskimit dhe sekuestrimit te pasurisë./21Media

Back to top button