BB: Kosova vendi me zhvillimin më të shpejtë në rajon, por perspektiva është e cenueshme

Këtë vit në Kosovë, investimet private kanë shënuar rritje, ndërsa investimet e huaja direket kanë shënuar rënie

Kosova është vendi me zhvillimin më të shpejtë në rajon, me 4.2 për qind të rritjes ekonomike për këtë vit, ndërsa rritja parashikohet të arrijë në 4.5% në periudhën 2019-2020, por perspektiva është e cenueshme nga rreziqe të jashtme dhe të brendshme.

Kështu kanë thënë zyrtarë të lartë të Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, në konferencën për media gjatë prezantimit të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Në raport, bëhet e ditur se rritja për rajonin e Ballkanit Perëndimor vlerësohet të konsolidohet në 3.5% për 2018, sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, rritje më e lartë, por e brishtë.

Sipas vlerësimeve, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia shënuan rritje me ritme mes 2.5 dhe 4%.

Për këtë vit në Kosovë, investimet private kanë shënuar rritje, ndërsa investimet e huaja direket kanë shënuar rënie.

Asli Senkal, ekonomiste në Zyrën e Bankës Botërore për Kosovë, ka thënë se Kosova ka borxhin publik më të ulëtin në rajon, por është në rritje të shpejtë. Ajo shtoi se deficiti fiskal parashikohet të zgjerohet për shkak të investimeve të larta publike në infrastrukturë rrugore.

Ndërsa, sa i përket papunësisë, ajo ka thënë se në bazë të të dhënave zyrtare, papunësia është rreth 30 për qind. Senka vuri në pah se krijimi i vendeve të punës është ngadalësuar krahasuar me vitin 2017.

Mirëpo, kriza financiare e paralajmëruar në tregjet ndërkombëtare mund ta prekë Kosovën, por zyrtari i lartë në Zyrën e Bankës Botërore, Diego Garrido Martin ka kërkuar nga Qeveria të punojë për ta zvogëluar krizën eventuale.

Ndërsa, i pyetur nga mediat për projektin energjetik “Kosova e re”, ku është e implikuar edhe Banka Botërore, Martini nuk ka dashur ta komentojë, duke thënë se për këtë projekt përgjegjëse është Qeveria e Kosovës.

Back to top button