Deborah Huso ka përshkruar vizitën e saj dyditore në Prishtinë

Deborah Huso ka përshkruar vizitën e saj dyditore në Prishtinë

Gazetarja Deborah Huso, e cila njihet për shkrimet e saj në disa nga mediat më prestigjioze botërore ka bërë një shkrim për BBC, duke përshkruar vizitën e saj dyditore në Prishtinë. Titulli i shkrimit është “A është kryeqyteti i Kosovës më i shëmtuari në Evropë?”

Huso ka shkruar se asnjëherë nuk ka menduar të vizitonte Prishtinën, por ka vendosur të kalonte në Kosovë pas një vizite 10-ditore në alpet shqiptare. Pasi ka bërë një historik të shkurtër për luftën e deri te pavarësia, ajo ka nisur të shkruajë për impresionet e saj në kryeqytet.

Sipas saj, ndërtesat e stilit komunist dhe rrugët me pluhur i japin një shije të keqe Prishtinës. Ndërsa, ajo ka cituar edhe disa media të tjera, të cilat nuk e kanë lavdëruar arkitekturën e Prishtinës.

Ndër tjerash, ajo ka shkruar se shumë prej ndërtimeve otomane janë zëvendësuar me ato komuniste, gjatë kohës sa Kosova ka qenë pjesë e Jugosllavisë.

Duke folur për Bibliotekën Kombëtare, Huso ka shkruar se ajo është cilësuar si ndërtesa më e shëmtuar në botë, por ka një bukuri sapo hynë brenda. Sipas saj, arkitektura e brendshme dëshmon lidhjen bizantine dhe islamike të Prishtinës.

Duke u ndalur tek objektet fetare, Huso ka shkruar se ndërtimi i katedrales është një ironi më vete për dy arsye, e para për shkak se Vatikani nuk e njeh shtetin e Kosovës, ndërsa e dyta 90% e popullsisë është myslimane. Mirëpo, ajo ka shkruar se ndërtimi i Katedrales “Nënë Tereza” paraqet dëshirën e kosovarëve për të lënë pas krahëve të kaluarën të mbushur me konflikte, më shumë etnike sesa fetare.

Huso ka cituar guidën e saj, Bekim Xhemili, i cili ka thënë se për katedralen donatorë kanë qenë shqiptarë myslimanë e katolikë, të cilët jetojnë në vende të tjera, por kryesisht donacionet kanë ardhur nga mërgimtarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga mërgimtarët, Huso ka shkruar se varet edhe ekonomia e vendit. Edhe të dhënat që i janë prezantuar asaj, është bërë e ditur se në vitin 2015, diaspora ka sjellur në vendlindje 752 milionë euro. Ajo ka përmendur edhe numrin e lartë të të papunëve.

Gjëja më e mrekullueshme në Prishtinë, ka shkruar Huso, është kultura e kafesë. Makiato në Prishtinë, sipas saj, mund të rivalizojë edhe një makiato në Itali për nga shija. Huso ka theksuar numrin e lartë të kafeneve, që sipas saj janë 100 sosh për 200 mijë banorë. Sipas saj, kafenetë janë një vendtakim për të gjithë.

Ajo më pas ka shkruar për “Newborn” dhe memorialin “Heroinat” për të cilin ka thënë se përdhunimi i 20 mijë grave gjatë luftës ka qenë një nga ngjarjet më tragjike. Më pas e ka përmendur edhe statujën e Bill Clintonit dhe lidhjen e kosovarëve me Amerikën.

Në fund, Huso ka shkruar se Prishtina nuk i ngjanë as Parisit, as Romës, por ka kuptuar se nëse e kujtoni të kaluarën dhe e humbisni veten në të tashmen, ju do të gjeni njerëz që po tentojnë të rikuperojnë veten dhe të rinj që janë të etshëm për të shkruar një kapitull të ri. Dhe kjo, për Hyson është një gjë shumë e bukur.