Një ndeshje që është më shumë se thjesht një lojë futbolli

Një ndeshje që është më shumë se thjesht një lojë futbolli

Pllakatat e vendosura në sheshin e Prishtinës tregojnë entuziazmin e njerëzve për ardhjen e skuadrës Angleze. Në këto pllakat është vendosur Raheem Sterling me mbishkrimin “Mirësevjen vëlla”.

Kjo tregon faktin se në Kosovë lojtarët e Anglisë do të mirëpriten në një mënyrë që ata s’u pritën në Mal të Zi dhe Bullgari, atje ku anëtarët e skuadrës së Gareth Southgate ishin pjesë e abuzimeve raciste, shkruan BBC.

Në Prishtinë, por edhe në qytet e tjera vërehet mirënjohja e qytetarëve për përfshirjen e Anglisë në çlirimin e vendit pas luftës në Kosovë, transmeton rtv21.tv.

Skuadra angleze u prit me lule në aeroportin e Prishtinës dhe disa persona i pritën lojtarët edhe para hotelit të tyre.

“Ka qenë një mirëseardhje vërtet e ngrohtë. Unë mendoj se kjo lojë është një festë për Kosovën. Është turp që ata nuk ishin në gjendje të kualifikoheshin”, tha trajneri i Anglisë, Gareth Southgate.

Për ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” aplikuan rreth 300 mijë persona, ndërsa brenda stadiumit janë vetëm 13 mijë e 500 ulëse, shkruan tutje BBC.

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani tregoi domethënien e kësaj ndeshje, një lojë që është më shumë se thjesht një lojë futbolli.

“Në Kosovë nuk ka vend për racizëm. Kjo nuk mund të ndodh sepse ne jemi shumë miqësor. Njerëzit këtu janë fansa të lojtarëve të Anglisë. Prandaj kjo nuk do të ndodh në Kosovë”, tha ai.

Anglia do të mundohet ta përfundojë me fitore këtë kampanjë kualifikuese për Euro 2020, por një barazim do t’i mjaftonte për të siguruar vendin e parë.

Kombëtarja e Kosovës sot me fillim nga ora 18:00 do të zhvillojë ndeshjen historike të saj me Anglinë./21Media