Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE, LSDM dhe BDI, negociojnë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Përfaqësuesit e VMRO-DPMNE, LSDM dhe BDI, negociojnë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor

BDI dhe VMRO-DPMNE e refuzojnë propozimin e LSDM-së me partitë më të vogla politike që kërkojnë një njësi zgjedhore. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dje deklaroi se BDI duhet ta pranojë modelin me një njësi zgjedhore për shkak se opozita shqiptare do të bashkohet dhe do ta fitoj BDI-në  me modelin e tanishëm zgjedhor proporcional. Në lidhje me këtë, Artan Grubi tha se BDI fare nuk mendon për një njësi zgjedhore dhe se e di çfarë është më e mirë për ta.

“Takimi i djeshëm ishte takim joformal i disa entuziastëve, ne mbetemi në përmbajtjen formale e cila diskuton për ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe kjo është në suaza të Ministrisë së drejtësisë. Është absurde të diskutohet ndryshimi i modelit zgjedhor në vit kur mbahen zgjedhjet, e aq më pak 5 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve”, deklaroi Artan Grubi nga BDI.

Tashmë disa muaj, përfaqësuesit e VMRO-DPMNE, LSDM dhe BDI, negociojnë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por ende nuk është arritur marrëveshje. Dje Zaev tha se nëse mbledhin 61 vota  do të miratojnë Kodin Zgjedhor me ndryshimin e modelit zgjedhor për një njësi zgjedhore pa konsensus të partive politike. Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, vlerëson se këtë deklaratë kryeministri me shumë gjasa do ta tërheq. Ai theksoi se në Kodin Zgjedhor duhet të vendosen edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, në të cilat pohon se nuk ka insistim për një njësi zgjedhore.

“Së pari duhet të miratohen rekomandimet e OSBE si dhe të Zyrës së BE-së dhe këtu grupet e punës tashmë janë në fazë më të avancuar. Presim sa më shpejt të miratohen të njëjtat për shkak se janë të patjetërsueshme, të mos e lëmë këtë pak para fillimit të periudhës së zgjedhjeve”, tha Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.

Një njësi zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa lista të hapura në zgjedhjet lokale në vitin 2021. Kjo u dakordua në takimin e djeshëm të iniciuar nga partitë më të vogla politike, ku u debatua për ndryshimin e modelit zgjedhor. Partitë e vogla politike thanë që nëse në Kodin Zgjedhor nuk parashihet që të ketë një njësi zgjedhore, atëherë ata nuk do ta votojnë ligjin./21Media