BDI pa kushte në qeveri!

Ahmeti thotë se ka lëshuar penj, pasi që situata nuk ka qenë e mirë për të vendos kushte

Një javë më parë qeveria e Zoran Zaevit emëroj shefat e ri të Kundërzbulimit dhe të Byrosë për Siguri Publike. Edhe këtë herë, asnjë shqiptarë në postin drejtues të shërbimit sekret të shtetit! Në vend të Mitko Çavkovit u zgjodh Goran Nikollovski ndërsa Llaze Vellkovski i zuri karrigen Vlladimir Atanasovit.

Partneri qeverisës i Zaevit, Ali Ahmeti, thotë se ka lëshuar penj, pasi që situata nuk ka qenë e mirë për të vendos kushte, duke i kërkuar të paktën njërën nga këto drejtori kyçe.

“Nuk ka të bëjë as me mungesë të vullnetit e as nuk ka të bëj me mungesë të kuadrove dhe kualifikimit të kuadrove, ka të bëj me rrethanat politike në vend. BDI-ja nuk është një parti politike e cila në momentin kur rrethanat janë shumë të ashpërsuara dhe shumë të ngarkuara dhe tani të vendos kushte. Ne kemi mundur të drejtojmë MPB-në ashtu siç e drejtuam gati gjashtë muaj, kemi drejtuar ministrinë e mbrojtjes dhe tani shqiptarët po drejtojnë Kuvendin e RM-së”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani nuk ndjen aspak xhelozi për faktin që gjatë 1 decenie qeverisje, asnjëherë kuadrot e tyre nuk kanë udhëhequr me shërbimin sekret të shtetit.

“Në një qeveri ku ka marrëveshje për partneritet të sinqertë është pak e rëndësishme se cila parti udhëheq me një institucion. Të gjithë duhet të punojnë në drejtim të realizimit të programit të përbashkët qeveritar që del nga programet e partive politike”, tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër i BDI-së.

Por ndryshe mendon analisti politik Mersel Bilalli. Sipas tij, partitë politike shqiptare kanë stagnuar në avancimin e kuadrove të tyre në lëmi të shërbimeve informatike.

“Strukturat të cilat i kanë përfaqësuar shqiptarët, partitë nuk janë angazhuar në drejtim të angazhimit të kuadrove të aftë dhe inteligjent që të jenë të gatshme për punë të tilla. Më tepër kanë ofruar njerëz mesatarë ose nën-mesatarë dhe të dëgjueshëm të partisë, dhe e ka sjellë në një gjendje që në lëmi të ndryshme është bërë tabu për shqiptarët, edhe pse Kushtetuta obligon që të gjitha bashkësitë etnike, veçanërisht shqiptarët, duhet të jenë të përfaqësuar në mënyrë adekuate”, tha Mersel Bilalli, analist politik.

Ish drejtorët Mitko Çavkov dhe Vlladimir Atanasov, janë propozuar dhe emëruar nga VMRO-DPMNE-ja gjatë kohës së qeverisjes teknike. Që të dy përmenden në raportin e grupit punues të MPB-së për mos intervenimin e rregullt dhe në kohë për dhunën në kuvend më 27 prill. Madje për këtë rast, ish-ministri i brendshëm Agim Nuhi kërkoi dorëheqjen e drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim MItko Çavkov. Ndërsa Atanasovki ishte kritikuar edhe për pengesat që i ka bërë PPS-së./21Media

Back to top button