BE edhe njëherë bën thirrje për heqjen e taksës

Konsiderohet shkelje e CEFTA-s

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova ka ripërsëritur shqetësimin e tyre të vazhdueshëm lidhur me vendosjen e taksës 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Apostolova e konsideron taksën si shkelje të CEFTA-s.

“Siç është theksuar tashmë në shumë raste, kjo paraqet një shkelje të qartë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe ndikon negativisht në bashkëpunimin rajonal. BE-ja është donatori, investuesi dhe partneri tregtar më i madh i Kosovës. Barrierat tarifore dhe jotarifore në tregtinë e lirë, qofshin të imponuara nga Kosova apo ndonjë nga fqinjët e saj, pengojnë rrugën e rajonit drejt një ekonomie konkurruese të tregut dhe e bëjnë më pak tërheqës si vend për të investuar.”, ka thënë Apostolova.

Apostolova ka thënë se kjo taksë ka ndikuar negativisht në procesin e dialogut dhe konsideron se heqja e taksës do të mundësonte rifillimin e shpejtë të Dialogut.

“Vendosja e taksës ka ndikuar negativisht në procesin e Dialogut me Serbinë. Heqja e taksës do të mundësonte rifillimin të shpejtë të këtij Dialogu. Dialogu i suksesshëm që shpie në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të kontribuojë në stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Jemi të vetëdijshëm se suksesi i Dialogut varet nga shmangja nga veprimet e padobishme nga të dyja palët dhe rikujtojmë se BE-ja i ka kërkuar të dy palëve të veprojnë në përputhje me këtë; në këtë frymë i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të artikulojë qartë hapat konkretë që do të ndërmarrë për të mundësuar pezullimin e tarifëa, ashtu që bashkëpunimi rajonal të mund të ecë përpara. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Qeverisë që të shqyrtojë seriozisht ofertën e Komisionit Evropian për të ndihmuar në heqjen e pengesave jo-tarifore me të cilat ballafaqohen eksportet e Kosovës në rajon”, ka thënë Apostolova.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj takse janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button