BE frikëson investitorët në Trepçë

“Trepça“ nga  institucionet e Kosovës, në asnjë moment nuk guxon të jetë temë e negociimit në Bruksel

Aleanca Kosovare e Bizneseve reagon ndaj zyrtarëve të BE-së se sipas Aleancës, kinse Trepça duhet të jetë temë e Dialogut Kosovë-Serbi.

Me këtë, sipas AKB-së, BE-ja ka provokuar dhe paragjykuar përfundimin e Dialogut në dëm të Kosovës, por njëkohësisht, sipas Aleancës, deklarata e znj Maja Kocijançiq ka frikësuar dhe mund ta zmbraps interesimin e Investitorëve potencial që të investojnë në Trepçë.

“Në bazë të Ligjit për Trepçën Kosova i ka  hap mundësi investitorëve vendor dhe të huaj për të bashkuar kapitalin në këtë aset i cili ka nevojë për rivitalizim dhe investime të reja. Tentimi për tërheqje nga deklarimi se kinse BE-ja nuk propozon tema por ajo mbështet dialogun për temat të cilat merren vesh Kosova dhe Serbia është në kundërshtim të plotë me pozicionin nga deklarimi i djeshëm”, bëhet e ditur në komunikatën e AKB.

Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se “Trepça“ nga  institucionet e Kosovës, në asnjë moment nuk guxon të jetë temë e negociimit në Bruksel.

Sot, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq ka sqaruar qëndrimin e institucioneve evropiane lidhur me mundësitë që çështja e kombinatit metalurgjik “Trepça” të përfshihet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Sa i përket çështjes se a është “Trepça” pjesë e dialogut, Bashkimi Evropian, si ndihmës i procesit ka qenë gjithmonë i qartë që rendi i ditës në dialog përcaktohet nga Beogradi dhe Prishtina. Ne nuk komentojmë për pikat për të cilat nuk dëshirojnë të bisedojnë. Ata i sjellin në tavolinë çështjet që i konsiderojnë të hapura dhe më pas duhet të merren vesh për atë se a duan të flasin për secilën çështje, në mënyrë që të arrihet marrëveshja juridikisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë ajo.

Sindikata e pavarurur e minatorëve të Trepçës sot ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së djeshme të zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijançiq. Sipas Sindikatës, diskutimi për Trepçën e cenon direkt sovranitetin e Republikës së  Kosovës, si dhe Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje ka reaguar për deklaratën e Kocijançiqit për Trepçën, duke u shprehur se reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dje po ashtu ka deklaruar se Trepça nuk do të jetë temë e bisedimeve me Serbinë.

Kujtojmë që, kuvendi i Kosovës më 3 shkurt ka miratuar statutin e Minierës së Trepçës. Dokumenti i kaluar me 80 vota pro, parashikon regjistrimin e saj si një ndërmarrje te re në përputhje me ligjin e miratuar në vitin 2016, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës bëhet pronare me 80% të kapitalit./21Media

Back to top button