BE-ja paralajmëron masa ndaj Turqisë

BE-ja paralajmëron masa ndaj Turqisë

Të ashtuquajturat shpimet turke për gaz dhe naftë jashtë Qipros, Bashkimi Evropian i sheh si ndërhyrje në zonën ekonomike ekskluzive të Qipros, andaj ka paralajmëruar masa ndaj Turqisë.

“Pavarësisht nga synimet tona për të mbajtur marrëdhënie të mira fqinjësore me Turqinë, përshkallëzimi i vazhdueshëm i saj dhe sfidimi ndaj sovranitetit të shtetit tonë anëtar Qipros, në mënyrë të pashmangshme do ta detyrojë BE-në të përgjigjet në solidaritet të plotë”, tha, Donald Tusk, president në largim i Këshillit Evropian, shkruan rtv21.tv

BE-ja kishte paraparë t’i jepte Turqisë 4.45 miliardë euro për të realizuar reforma politike, dhe në fusha tjera, në mënyrë që të përgatitej për një anëtarësim të mundshëm në bllok.

Por, vitin e kaluar, Brukseli tërhoqi 175 milionë euro në shenjë proteste ndaj asaj që e shihte si përkeqësim të të drejtave të njeriut në Turqi.

BE-ja ka thënë se Ankaraja nën udhëheqjen e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, po largohet nga blloku evropian.

Por, ndërsa blloku ka nevojë për Turqinë në çështje të tilla si siguria dhe migracioni, një diplomat i BE-së i përfshirë në diskutimet e fundit, tha se çdo sanksion i ardhshëm do të ishte i kufizuar.

Mos prisni ndonjë sanksion të gjerë ekonomik“, theksoi ai.

Ankaraja, dje kundërshtoi kritikat e Greqisë dhe BE-së se shpimet turke jashtë Qipros ishin të paligjshme./21Media