BE investon në ngrohjen qendrore në Prishtinë

“Ky projekt është projekt shumë i madh në vlerë prej 6 milionë eurosh”

Përfaqësuesi i BE, Luigi Brusa vizitoi sot shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Prishtinë, e cila së shpejti do të lidhet me rrjetin e ngrohjes qendrore të ofruar nga Termokos-i.

BE për këtë projekt po investon 6 milionë euro në zëvendësimin e gypave ekzistues me qëllim të përmirësimit të besueshmërisë dhe cilësisë së furnizimit me ngrohje për konsumatorët ekzistues, si dhe për të zgjeruar furnizimin me ngrohje për klientët e rinj në Prishtinë.

Përfaqësuesi i BE, Luigi Brusa tha se është shumë e rëndësishme që nxënësit e shkollës “Naim Frashëri”, të mësojnë në ambient të përshtatshëm.

“Ky projekt është projekt shumë i madh në vlerë prej 6 milionë eurosh dhe nuk përfshin vetëm këtë shkollë por edhe shumë ndërtesa në këtë zonë, dhe me përdorimin e Termokos-it ngrohemi, mirëpo po e reduktojmë edhe emetimin e karbonit sepse tash po e përdorim ngrohjen që vjen nga Termokos-i, dhe me këtë po e reduktojmë edhe përdorimin e elektricitetit dhe qymyrit çka ndihmon për mjedisin. Po i vendosim 100 nënstacione të reja prej tyre 50 janë në ndërtesa publike dhe po shtrijmë më shumë se 14 kilometra të tubacionit”, tha ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Termokos-it, Arsim Fetahu tha se ky realizim i zgjerimit të rrjetit të qendrës së ngrohjes nuk do të ishte i mundur pa financimin e komisionit Evropian dhe bashkëfinancimit nga Komuna e Prishtinës dhe Termokos-i.

“Në mesin e këtyre katër konsumatorëve të ri që kemi filluar zgjerimin në këtë pjesë të qytetit përfshirë edhe shkollën ‘Naim Frashëri’ në të cilën ndodhemi, vazhdimi i zgjerimit të rrjetit do të vazhdojë edhe në shumë pjesë të qytetit. Pa dyshim që për neve të gjithë konsumatorët janë të rëndësishëm, mirëpo me kënaqësi më të madhe e kem kur ofrojmë kushte për punë më të mirë në çerdhe dhe shkolla. Pra jo rastësisht është zgjedhur ky vend për t’u bërë promovimi i projektit. Gjithashtu në vitin e ardhshme do të vazhdoj ky projekte me kyçjen e Teatrin, Ministrisë së Kulturës, objektet banesore Ulpiana, Mati1 dhe disa objekte të tjera”, tha ai.

Shpresa Shala, drejtoreshë e DKA-së në Prishtinë, tha se Prishtina tashmë po hyn në sistem të ngrohjes gjë e cila ndikon edhe në mbrojtjen e mjedisit.

“Prishtina tashmë po hyn në sistem të ngrohjes gjë e cila ndikon edhe në mbrojtjen e mjedisit të cilën ne në Prishtinë e kemi problem. Mirëpo njëkohësisht e konsideroj që vetëm kyçja e shkollës ‘Naim Frashëri’, këtë faktikisht i ngrohë 900 familje përmes fëmijëve që janë këtu, që janë pjesëtar të kësaj shkolle. Po shpresoj që në vitet në vazhdim për ngrohje të jenë prioritet shkollat dhe kopshtet sepse ngrohja përmes termokosit është shumë më e mirë dhe më e lirë”.

Lina Qebani, nxënëse e shkollës ‘Naim Frashëri’, mbajti një fjalim falënderues për të gjithë ata që kontribuuan në këtë projekt.

“Faleminderit shumë BE, për investimet që po i bëni në shkollat e Kosovës, kyçja e shkollës tonë në rrjetin e ngrohjes qendrore gjë e cila ka një rëndësi të veçante për ne. Të kemi ambient të ngrohtë dhe të këndshëm për mësim do të thotë shumë, iu falënderojmë të gjithë nxënësit e kësaj shkolle dhe njëherë iu bëjmë me dije se çdo ndihmë që i ofrohet shkollave e konsiderojmë investimin më të qëlluar”, tha ajo.

Kujtojmë se ngrohja qendrore shkon edhe në 1800 banesa dhe 105 biznese në Lagjen Ulpiana, Mati dhe Kalabria.

Back to top button