Pas emërimit të Richard Grenell

Pas emërimit të Richard Grenell

Bashkimi Evropian punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Reagimi i BE-së, vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja ka dhënë një kontribut të çmuar në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për suksesin e dialogut (Kosovë-Serbi). SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interesin e fuqishëm për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të përparuar”, ka thënë Kocijançiq, duke konfirmuar gatishmërinë e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në.

Ndërsa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se emërimi i Richard Grenell, si i dërguar i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, tregon përkushtimin e qeverisë amerikane për një përparim të shpejt drejt një të ardhme paqësore për rajonin.

“Mezi pres të punojmë me ambasadorin Ric Grenell si të dërguarin e posaçëm të presidentit për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës. Emërimi i tij, krahas Matt Palmer (i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor), tregon përkushtimin e qeverisë amerikane për përparim të shpejtë drejt një të ardhme paqësore për rajonin”, ka shkruar Kosnett në rrjetin social Twitter.


Emërimin e Richard Grenell, si të dërguar të administratës amerikanë për dialogun Kosovë-Serbi e ka mirëpritur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj si dhe krerët e tjerë shtetëror.

Richard Grenell nga Kalifornia, do të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur qëkur Kosova ka vënë taksën 100% për prodhimet e importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar./21Media