BE-ja lë Kosovën e Maqedoninë jashtë Fondit 530 milionësh të Solidaritetit

 

Sot, Komisioni Evropian ka propozuar një paketë prej gati 530 milionë Euro në mbështetje financiare shtesë nën Fondin e Solidaritetit të BE (EUSF), e cila do të kontribuojë për të mbrojtur shëndetin publik në luftën kundër koronavirusit për 20 shtete, por në mesin e tyre nuk është Kosova dhe as Maqedonia e Veriut.

Kjo paketë finaciare do të kontribuojë për 17 Shtetet Anëtare dhe 3 vendet kandidate për antarësim  (Austria, Belgjika, Kroacia, Çekia, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia) për të mbrojtur shëndetin publik në luftën kundër koronavirusit. Ky financim do të mbështesë një pjesë të shpenzimeve të tyre publike për pajisjet mjekësore dhe personale të mbrojtjes, mbështetjen emergjente për popullatën dhe masat e parandalimit, monitorimit dhe kontrollit të përhapjes së sëmundjes.

Paketa e ndihmës e propozuar sot gjithashtu përfshin 132.7 milionë Euro të paradhënieve të marra tashmë nga Gjermania, Irlanda, Greqia, Spanja, Kroacia, Hungaria dhe Portugalia.

Kontributi financiar i propozuar nga Komisioni tani duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli. Ndihma financiare do të disbursohet për vendet aplikuese.

EUSF u krijua pas përmbytjeve të mëdha në Evropën Qendrore në verën e vitit 2002, kryesisht për të ndihmuar vendet e pranueshme në operacionet e emergjencës dhe rimëkëmbjes pas katastrofave natyrore. Midis vitit 2002 dhe 2020, EUSF ka mobilizuar gjithsej mbi 6.5 miliardë euro për ndërhyrje në 96 ngjarje të katastrofës në 23 shtete anëtare dhe 1 vend anëtarësimi./21Media 

Back to top button