Konkurset në prag të zgjedhjeve!

Konkurset në prag të zgjedhjeve!

Bashkimi Europian, zyra në Kosovë, nëpërmjet një komunikate ka kritikuar institucionet e vendit dhe partitë politike, për konkurset e shpallura në administratën shtetërore, në kohën kur vendi gjendet në prag të zgjedhjeve.

BE-ja ka përmendur Ligjin për Zyrtarët Publik, që është miratuar gjatë këtij viti, ku ka thënë se për këtë ligj duhen të miratohen edhe aktet nënligjore nga qeveria.

Të gjitha vendet e lira të shërbimit civil të publikuara aktualisht nga institucionet shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë ekzekutive e rregullative, nuk mund të vazhdojnë para se të merren vendime të tilla nga Qeveria. Kjo është e vetmja rrugë e ligjshme që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore dhe në të kundërten do të rrezikojë t’i ekspozojë institucionet dhe partitë politike ndaj akuzave dhe kritikave për politizimin e administratës publike”, thuhen në komunikatën e BE-së të publikuar në Facebookun e tyre.

Tutje BE-ja i bën thirrje Ministrisë së Administratës Publike që të informojë institucionet, që vendet e lira të shpallura aktualisht, nuk mund të vazhdojnë deri sa aktet nënligjore të jenë të miratuara nga qeveria.

BE ka marrë shënime nga shoqëria civile, të cilët kanë ngritur shqetësime në lidhje me vendet e lira të publikuara aktualisht. Të gjitha rekurtimet e shërbimit civil duhet të jenë në përputhje me standardet e paanshmërisë dhe meritës”, thuhet tutje në komunikatë, shkruan rtv21.tv

Nga ana tjetër, Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) ka analizuar konkurset e shpallura nga institucionet qendrore dhe lokale, të cilat janë shpallur që nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, ku ka identifikuar se institucionet i sistemit të drejtësisë, ato qendrore dhe lokale duke u bazuar në ligjin e vjetër kanë shpallur së paku 70 konkurse për 261 zyrtarë publikë, në kundërshtim me ligjin.

Kuvendi i Kosovës më 2 shkurt 2019, kishte miratuar Ligjin për Zyrtarët Publik, i cili ligj ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për punësim të zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës, të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri. I njëjti ligj ka shfuqizuar Ligjin për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës. Ligji për Zyrtarët Publik hyn në kuadër të ligjeve më të avancuara përmes të cilit janë përcaktuar procedura, rregulla dhe kritere që i japin përparësi kandidatëve meritor për pozitat e shpallura në institucionet publike, dhe që i kufizon institucionet publike në manipulimet eventuale në proceset e rekrutimit. Për më tepër, intervistat realizohen përmes testimit elektronik me shkrim dhe në mënyrë anonime.IKD vlerëson se sipas këtij ligji, nga data 12 shtator 2019, të gjitha konkurset publike do të duhej të shpalleshin në bazë të këtij ligji. Përkundër kësaj, numër jashtëzakonisht i madh i institucioneve, kanë shpallur konkurse duke u bazuar në ligjin e vjetër mbi Shërbimin Civil, i cili tanimë është i shfuqizuar.

Ndryshe, numri i madh i të punësuarve në administratën publike, ka ndikuar edhe në zbatimin e reformave në administratën publike, reforma këto që në vazhdimësi janë kërkuar nga Komisioni Evropian në raportet e progresit. Kurse ka rreth një vit që përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovës i kanë shpeshtuar kritikat në drejtim të institucioneve të Kosovës, lidhur me fenomenet negative, si nepotizmi, korrupsioni apo për dukurinë, siç po quhet, të “kapjes së shtetit”.

BE-ja thotë se do të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë e re që do të formohet pas zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e duhur të reformës në administratën publike./21Media