BE, mbështetje më të madhe për Kosovën përmes IPA III

Cullen tha se përmbushja e kritereve ekonomike është një kërkesë kyçe në kontekstin e perspektivës evropiane

Në takimin plenar të nivelit të lartë në kuadër të misionit vlerësues të Komisionit Evropian për reformat të ekonomi, u tha sot se këtë vit KE-ja ka një fokus për rritje të mbështetjes financiare për Kosovën për sektorin e konkurrueshmërisë, për gjenerimin e vendeve të punës dhe për përfshirje sociale.

Udhëheqësi i Njësisë në Drejtorinë e Zgjerimit për Maqedoninë Veriore dhe Kosovën nga KE, David Cullen tha se përmbushja e kritereve ekonomike është një kërkesë kyçe në kontekstin e perspektivës evropiane dhe kjo nënkupton një ekonomi më funksionale.

Cullen tha se në Instrumentin e ri për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) të Komisionit Evropian për IPA III, do të ketë rritje të mbështetjes financiare sidomos për konkurresumërinë dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi tha se për reformat ekonomike, prioritet i Qeverisë është luftimi i ekonomisë informale, ambienti dhe shëndetësia si dhe janë vendosur objektivat për rritje të të hyrave buxhetore. Lufta kundër informalitetit, sipas ministrit Bislimi, garanton edhe barazi për bizneset.

Ndërsa, Andreas Tari për çështje ekonomike nga Komisioni Evropian kërkoi nga Qeveria dhe dikasteret e saj, që të ruajnë qëndrueshmërinë fiskale. Tari kërkoi që mos të ketë shpenzime qeveritare vetëm në infrastrukturë, por edhe në arsim dhe shëndetësi, përderisa ka inkurajuar qeverinë e re për rritjen e t ë hyrave buxhetore.

Ndërkohë, takimi është duke vazhduar ende pa media, ku po marrin pjesë edhe ministrat të tjerë qeveritarë, ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa dhe  ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Back to top button