Bebe udhëton drejt Shqipërisë

Bebe udhëton drejt Shqipërisë

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’i ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Përmes disa storieve në Instagram, artistja e mirënjohur shqiptare njoftoi se u bënë gati dhe që së shpejti do të niset drejt aeroportit. Ajo do të jetë e shoqëruar nga babai i saj, Flamur Rexha.

“Babai im dhe unë po bëhemi gati të shkojmë në aeroport së shpejti për t’u nisur drejt Shqipërisë. Objektivi im për këtë udhëtim është që të ngre vetëdijen përmes mediave në gjithë botën dhe të siguroj më shumë ndihmë për vendin dhe të gjejmë zgjidhjen e duhur për fondet e grumbulluara dhe të sigurohem se ato po përdoren për qëllime të mira. Shpresojmë që ndoshta do t’i ndërtojmë një apo dy shtëpi ose nuk e di, të shohim sa kushton. Dua t’i dorëzojë në duar të sigurta”, u shpreh Bebe.

Artistja e njohur ka blerë edhe ëmbëlsira për fëmijët.

Bebe ka krijuar edhe një fond ku deri më tani janë grumbullur mbi 82 mijë dollarë, transmeton rtv21.tv

Strehim dhe ndihma tjera gjatë këtyre dy ditëve për Shqipërinë kanë ofruar emra të njohur të skenës sonë.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit të 26 nëntorit, Shqipërinë e goditi tërmeti me magnitudë 6.3 shkallë të rihterit me epiqendër në Tiranë. Ky tërmet dridhi edhe Kosovën, me lëkundje që u dëgjuan edhe në vendet tjera si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Bullgaria dhe Italia.

Mbi 51 njerëz kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar si pasojë e tërmetit./21Media