Sipas Pacollit ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit

Sipas Pacollit ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se ai dhe familja e tij do të dhurojnë 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti.

“Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti”, ka njoftuar Pacolli.

Ai ka thënë se ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.

“Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet. Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, ka shkruar tutje Pacolli.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës i ka ndan 500 mijë euro për Shqipërinë në ditën kur u godit nga termeti.

Ekipi i RTV21, i cili gjendet në Shqipëri ka njoftuar se shifra e të vdekurve nga tërmeti i së martes në Shqipëri ka arritur në 42. Ndërsa, të lënduar janë qindra persona. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në rrënoja të shtëpive për gjetjen e personave të tjerë, që gjenden nën rrënoja.

Shqipëria është goditur nga tërmete të njëpasnjëshme prej mëngjesit të së martës. Qytetarët e Kosovës kanë dërguar atje ushqime e veshmbathje, por edhe para duke u solidarizuar me vëllezërit dhe motrat në Shqipëri./21Media