Ata ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë

Ata ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë

Nën patronatin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi u mbajtë akademi përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së dëshmorëve Bekim Berishës, Bedri Shalës, Elton Zherkës, Përmet Vulës dhe Bashkim Lekut.

Bashkëluftëtari i dëshmorëve, Hajdin Abazi, duke folur për zhvillimet e luftës së UÇK-së 20 vjet më parë në Dukagjin ka thënë se më 10 gusht 1998 ishte goditja më e rëndë që iu dha UÇK-së në Junik, mirëpo sipas tij, kontributi i heronjve është i pashlyer për çlirimin e vendit.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka vlerësuar lart kontributin e 5 dëshmorëve, në veçanti të Bekim Berishës, për të cilin tha se është njeriu i dytë pas komandantit legjendar Adem Jasharit për strategji dhe aftësi të jashtëzakonshme luftarake gjatë luftës.

“Pas Adem Jasharit mendoj që Bekim Berisha do të radhitet njeriu i dytë, i  cili ka qenë strateg i jashtëzakonshëm i luftës, dhe ka qenë jo vetëm luftëtar, por ka qenë një mësues i mirë i të rinjve. Unë  e kam edhe vëllain dhe kunatën heronj të Kosovës, por unë po them se pas komandantit legjendar radhitet Bekimi”, theksoi Lladrovci.

Kryetari i Junikut, Agron Kuçi duke i quajtur kolosë dëshmorët Bekim Berishën, Bedri Shalën, Elton Zherkën, Përmet Vulën dhe Bashkim Lekun ka thënë se nuk ka lëvizje ushtarake për çlirim që nuk është rritur në Junik dhe për të cilat krahasoj ngjarje historike si Kuvendi i Junikut dhe Beteja e Junikut.

Kuçi i vlerësoi dëshmorët si pasuri e UÇK-së, të cilët sipas tij, ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë.

Ndërsa, nënkryetar i Gjakovës, Ramadan Hoti tha së këta luftëtarë të shquar me vrasjen e tyre vërtet Kosova humbi shumë, të cilët asnjëherë nuk u tërhoqën nga fronti deri në momentin e rënies për liri dhe pavarësi.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve, Xheladin Shala ka thënë se kjo ditë për këta dëshmorë është moment dhimbjeje, por edhe krenarie.