Belegu: Pafytyrësi e Serbisë të kërkojë vetëm tregun e Kosovës e mos ta njohë si shtet

Taksa do të qëndrojë

Sonte në emisionin “Click” të RTV21 u zhvillua një intervistë me këshilltarin e kryeministrit të Kosovës, Erolld Belegun.

Belegu rreth taksës 100% të vendosur për mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës deklaroi se vetë fakti që kryeministri për vitin 2019 është koncentruar tek ekonomia është për t’i ikur debatit për taksën.

“Unë mendoj që ky debat nuk mund të them është shterur, sigurisht do të vazhdojë si dhe do të kemi presione të vazhdueshme. Por, nuk mendoj që duhet të bisedojmë për taksë deri në momentin kur Serbia ka intencë serioze për të përmbyllur negociatat me Kosovën apo siç thotë kryeministri deri në njohjen e plotë.”, tha Belegu.

Erolld Belegu gjithashtu deklaroi që në vitin 2019 përfundimisht duhet të arrihet një marrëveshje në mes të dy shteteve. “Mendojmë që ne jemi ardh me një pozitë kur në vitin 2019 duhet të përfundohet përfundimisht një marrëveshje legale, obliguese në mes të dy shteteve. Dhe mendojmë që taksa e ka krijua vetëm urgjencën nga ana e Serbisë për shkak se realisht ata asnjë zor se kanë pas me u marrë me neve edhe për atë pak a shumë janë zhagit të gjitha këto edhe jemi hy në disa diskutime mbi çka po jep Kosova etj etj. Ja tash Kosova ka çfarë të jep, e jep tregun e vet.”, tha ai.

Sa i përket insistimit të Serbisë për heqjen e taksës, Belegu e quajti si pafytyrësi nga Serbia që të kërkojë vetëm tregun e një shteti e në anën tjetër mos ta pranojë atë shtet.

Belegu theksoi që taksa do të qëndrojë dhe nuk do të hiqet deri në momentin e njohjes apo deri në fillimin dhe përfundimin e negociatave në mes të dy shteteve./21Media

Back to top button