Apolloni i dërgoi letër Këshillit Drejtues të QKK-së

Apolloni i dërgoi letër Këshillit Drejtues të QKK-së

Regjisori i njohur, Ben Apolloni ka kërkuar nga Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës të ketë një qasje ndryshe ndaj zhvillimit të filmit. Apolloni përmes një letre të cilën i ka dërguar Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) ka kërkuar që të rregullohet edhe Ligji për Kinematografi.

Ligji, ka shumë pika që pengon zhvillimin e Kinematografisë edhe pse në të është e shkruar që ka për qëllim zhvillimin e kinematografisë. Por ka edhe shumë nene që janë shumë të mirë e nuk janë rrespektuar asnjëherë. Lexojeni sërish, analizojeni, ndryshojeni per të mirë!“, ka kërkuar ndër tjerash ai.

Po ashtu, Apolloni ka kërkuar që të ndryshohet rregullorja me të cilën ndalohet që regjisori të jetë edhe producent i filmit të tij.

“Rregullorja e QKK-së, që mbi 90% është veç reprizim i Ligjit, krijon edhe pengesa shtesë. Ta zëmë me Rregullore është e ndaluar që Regjisori të jetë edhe Producent i filmit të tij. Kjo ndalesë është e pakuptimtë për ata që merren profesionalisht me film, por edhe e kundërligjshme. Një gjë e tille nuk ndalohet me ligj. Kjo bëhet edhe shkak i pengesës së zhvillimit të Kinematografisë: regjisorit t’i ndalohet të jetë prodhues i filmit të tij. Se besoj që kjo ndodhë diku në ndonjë vend normal. Merreni me mend si do të reagonin regjisorët si Martin Scorsese, Steven Spilberg, Alfonso Cuaron, P.T. Anderson, etj, po të dëgjonin për këtë ndalesë. Fundja kush është ai që më mirë se regjisori kujdeset për veprën e vetë, për atë që e krijon vetë? Është e njejtë si një nëne t’i mohohet amësia për fëminë që e ka lindur vetë. Aq më shumë kur dihet që tek ne nuk ka producent të shkolluar (pasi në Fakultetin e Arteve nuk ka dëgë përkatëse për këtë drejtim) dhe producent bëhen njerëz që shpesh nuk e kanë filmin profesion, e në rastin më të mirë ndonjë aktor. Që, mandej shtrohet pyetja se pse aktori mund të jetë producent në filmin ku mund të ketë edhe rol, e regjisorit i ndalohet të jetë pronar i veprës së vetë? Ligji e më pas edhe rregullorja, e ndalon përkrahjen e filmave televizivë, e kjo duhet të ndryshohet urgjentisht sepse ne të gjithë jmi dëshmitarë që kinemaja po “rrudhët”, e po futet në televizion. Shihini se çfarë po bëjnë NETFLIX, ABC, AMAZON…“, ka shkruar ndër tjerash ai.

Në fund, regjisori ka kërkuar nga ky Këshill Drejtues që të ndryshohet edhe përkrahja e projekteve kinematografike, që tani për tani QKK ka të drejtë t’i përkrahë me 51% të buxhetit. Sipas Apollonit, kjo shumë është e pamjaftueshme kur kihen parasysh rrethanat në të cilat jetojnë e krijojnë artistët e filmit në Kosovë.

Nëse Kosova investon 51%, mundësi për me përfitu fonde, kineastët tanë i kanë vetëm në Shqipëri e Maqedoni, që vështirë se mund t’i sigurojnë as deri në 30% të shumës së mbetur. Prandaj, që kinematografia jonë të zhvillohet si duhet, që kineasteve t’u bëhet më e lehtë puna, duhet ndryshuar Ligji dhe përkrahja e projekteve fituese të rritet deri në 71%, për filma të gjatë, kurse për të shkurtër, dokumentar, e animacione edhe më shumë.“, bëhet e ditur në letrën drejtuar Këshillit Drejtues të QKK-së./21Media