Hamza ka thënë se është themeluar Fondi për Garantimin e Kredive

Hamza ka thënë se është themeluar Fondi për Garantimin e Kredive

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka bërë sot lansimin e programit për financimin e ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe bizneseve fillestare Start-up, qëllimi i të cilës është përkrahja e sektorit privat dhe të rinjve në funksion të fuqizimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Besim Beqaj, duke i ftuar inovatorët e rinj që të jenë pjesë e këtij programi u shpreh se Kosova do jetë e gatshme të quhet Kosovë digjitale.

“Rinia kosovare është e gatshme për të shkuar drejt digjitalizimit të ekonomisë dhe këtu dua të them se së voni në takimin e fundit në Sofje që është mbajtur nga Komisioni Evropian me Komisionin për Ekonomi Digjitale të Bashkimit Evropian është konstatuar që në dy vitet e ardhshme deri në vitin 2020 financime deri në 9 miliardë euro do të jenë për fushën e inovacionit dhe rritjen e inovacionit dhe teknologjisë informative në ekonomi”, tha Beqaj.

Ai shtoi se të gjitha këto mjete financiare do të vijnë edhe nga komisioni Evropian, donatort, si dhe nga Qeveritë dhe programet e ndryshme zhvillimore. Sipas tij, ky program i cili financon bizneset Start Up, dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kërkon ide inovative, për të cilat do të ketë një vlerësim të pavarur dhe profesional. Beqaj tha se nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kërkohet që të investojnë rreth 10 përqind.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza duke ofruar mbështetje për digjitalizim të ekonomisë, u shpreh se Qeveria e Kosovës ka marr veprime konkrete  që kanë krijuar lehtësira për sektorin privat.

Me qëllim të përkrahjes së këtij sektori Hamza tha se është themeluar Fondi për Garantimin e Kredive, e që shuma e tij pritet të arrijë deri në 100 milionë euro.

“Të gjithë pajtohemi që kontributin më të madh në rritjen ekonomike të një vendi e japim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme edhe në vendet dhe ekonomitë më të zhvilluara e lëre më këtu tek ne në Kosovë. Ne duhet ta vlerësojmë dhe ta pranojmë që edhe në Kosovë kontribuuesi më i madh në rritjen ekonomike është sektori privat , jo sektori publik. Sektori publik e ka obligim e vetë, e ka ndikim e vetë, mirëpo obligimi jonë është që të krijojmë kushte për zhvillimin e sektorit privat.”, u shpreh Hamza.

Ai ka kërkuar që ky program për financimin e NVM-ve dhe bizneseve fillestare Start-up të fokusohen në gjeneratat e reja dhe tek gjinia femërore.

Ndryshe, të gjithë ndërmarrësit privat apo inovatorët e rinjë kanë mundësi të aplikojnë për financim në këtë program deri më datën 15 gusht.