Beqaj: Mbi 9.5 milionë euro gjatë vitit 2018 për inovacionet dhe ndërmarrjet

Në Prishtinë është hapur Konferenca Globale për Ndërmarrësi 2017

Ministri i Inovacionit dhe Ndëmarrësisë, Besim Beqaj, i cili në fjalën e tij shprehu përkushtimin e ministrisë që drejton në përkrahje të inovacioneve në ekonomi dhe ndërmarrësve kosovarë, duke shtuar se Mbi 9.5 milionë euro do të ndahen gjatë vitit 2018 për inovacionet dhe ndërmarrjet.

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në buxhetin e vitit 2018 i ka të planifikuar mbi 10 milionë euro, nga të cilat mbi 9.5 milionë do të ndahen për inovacionet dhe ndërmarrjet”, tha Beqaj.

Ai më tej ka theksuar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, me qëllim të përkrahjes së ndërmarrjeve do të themeloi 4 qendra të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë; në Prizren, Prishtinë, Mitrovicë dhe në Pejë.

Ministri Beqaj ka sqaruar se fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi do t’i ketë tri shtylla: Edukimin; ku përfshihet edhe bashkëpunimi me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë; Infrastruktura ligjore dhe fizike; ku përfshihet hartimi i bazës ligjore dhe themelimi i qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, dhe Përkrahja direkte e inovatorëve dhe ndërmarrësve.

Në hapje të konferencës kanë marrë pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, përfaqësues të Odës Amerikane të Biznesit dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, si dhe përfaqësues të ndërmarrjeve dhe inovatorë.

Konferenca Globale e Ndërmarrësisë po mbahet këtë vit nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj dhe do të zgjasë nga 13 deri më 19 nëntor. Kjo Konferencë organizohet nga Qendra Inovative e Kosovës mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, GIZ, USAID-i dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë./21Media

Back to top button