Beqaj: Do të hapen katër qendra inovative në Kosovë

Sipas Beqaj, të rinjtë e Kosovës duhet të jenë të gatshëm për tregun e punës

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, i cili drejton një dikaster të ri qeveritar të krijuar nga Qeveria Haradinaj ka paralajmëruar se vitin që vjen do të hapen katër qendra inovative dhe të Ndërmarrësisë. Ai tha në programin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës se fillimisht do të startohet me hapjen e Qendrës Inovative dhe të Ndërmarrësisë në Prizren, pastaj do të vazhdohet në Mitrovicë, Pejë dhe Prishtinë.

Ministri Beqaj tha se hapja e këtij dikasteri të ri qeveritar është një mundësi e mirë për të rinjtë dhe sipas tij ndërmarrësia është një nga motorët tanë për zhvillimin e vendit.”Është një ministri kreative e cila do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat. Kemi një trend në botë që është u duke u zhvilluar me ekonomi digjitale, prandaj ka qenë shumë e nevojshme që edhe Kosova ta ketë një ministri të inovacionit dhe ndërmarërsisë”, tha ai.

Beqaj, ndërkaq bëri të ditur se me buxhetin e planifikuar nga Qeveria e Kosovës parashihet që ministria të cilën e drejton t’i ketë mbi 11 milionë euro. “Të rinjtë e Kosovës duhet të jenë të gatshëm për tregun e punës dhe se synim i kësaj ministrie është që ta lidhim teorinë me praktikën”, tha ministri Besim Beqaj.

Ai tha se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nuk do të merret me procedurat administrative, por se do të merremi me avokimin e ideve për zhvillimin ekonomik

Ndryshe, Programi i Qeverisë i Republikës së Kosovës 2017-2021 i hartuar nga Qeveria Haradinaj ka treguar edhe për objektivat e kësaj ministri se me çka do të merret. Sipas këtij programi, synimi i Qeverisë është stimulimi i aktiviteteve inovative në Kosovës të cilat do të jenë të lidhura ngushtë më ndërmarrësinë dhe me fushat e tjera të ekonomisë. “Zhvillimi i ndërmarrësisë dhe iniciativës private përmes inovacioneve dhe me fokus në zhvillimin e NVM-ve prodhuese dhe shërbyese, është parakusht për rritje të punësimit, rritje të konkurrueshmërisë dhe rrjedhimisht rritje të sektorit privat. (veçanërisht të të rinjve dhe grave)”, thuhet në programin Qeverisës të kësaj ministrie.

Politikat ekonomike do të orientojnë dhe përkrahin ndërmarrjet të kombinojnë njohuritë, kapacitetet, aftësitë dhe resurset (njohuri për prodhimin, aftësi dhe hapësira, njohuri në lidhje me tregun, sistem efikas të distribuimit, resurse të mjaftueshme financiare, etj.) për të zhvilluar konceptin e inovacionit brenda ndërmarrjes.

Lista e objektivave të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për Programin e Qeverisë 2017-2021:

• Promovimi i inovacionit sipas sektorëve të ekonomisë në shërbim të rritjes ekonomike dhe zhvillimit;

• Krijimin i mekanizmave institucional koordinues në mes të shkencës, sektorit privat dhe politikë-bërjes;

• Zhvillimi i ndërmarrësisë përmes programeve të trajnimit/ konsulencës;

• Konsolidimi i fondit për TIK dhe krijimi i fondeve për përkrahje të sektorëve zhvillimor (me fokus tek gratë dhe të rinjtë);

• Mbështetja e zhvillimit të NVM-ve për ballafaqim me presion konkurrues në rajon, BE dhe tregjet e tjera.

Qeveria përmes skemave financiare dhe jo financiare si dhe përmes trajnimeve synon të përkrahë : (1) produktet e reja; (2) metodat e reja të prodhimit; (3) metodat e reja të furnizimit; (4) shtrirjen në tregjet e reja; si dhe (5) metodat e reja të organizimit të biznesit.

Back to top button