Policia gjermane ndërmori një operacion të fshehtë

Policia gjermane ndërmori një operacion të fshehtë

Autoritetet në Berlin largojnë performuesit që pozonin si ushtarë amerikanë në pikën e kontrollit të njohur si “Check Point Charlie”. Këta statistë kërkonin nga turistët 3,5€ për të pozuar për foto me ta, ndërsa arsyetoheshin se ishin vetë turistët që u ofronin para për tu fotografuar.

E vërteta doli në pah pasi policia gjermane ndërmori një operacion të fshehtë, ku disa policë civil luajtën rolin e turistëve dhe u kërkuan këtyre performuesve të fotografoheshin me ta, pasi u fotografuan u detyruan të paguajnë nga 3,5€ për person, raporton the Guardian. 

Sipas të dhënave nga policia e Berlinit, shuma që këta “ushtarë amerikanë” fitonin brenda një dite, ishte mbi 5 mijë euro.

Checkpoint Charlie në Berlin ishte pikëkalimi i cili kontrollohej nga ushtria amerikane dhe që ishte nderuar menjëherë pas tensioneve në mes të forcave aleate dhe atyre sovjetike në vitin 1947, mirëpo pas ndërtimit të Murit te Berlinit u shndërrua në simbol të Luftës së Ftohtë. Në njëfarë forme shërbeu si kufi mes lindjes dhe perëndimit të Berlinit.

“Checkpoint Charlie” ishte si pika e vetme kaluese për zyrtarët të cilët udhëtonin nga njëra anë e qytetit në anën tjetër. Vetëm pak metra më larg ndodhej pikëkalimi i sovjetikëve, të cilët kontrollonin çdo hyrje dalje nga “Checkpoint Charlie”, gjë që mjaft shpesh tensiononte gjendjen në këtë pjesë./21Media