Ajo përcolli djalin për në shkollë me një mesazh të veçantë

Ajo përcolli djalin për në shkollë me një mesazh të veçantë

Për fillimin e vitit të ri shkollor më të gëzuarit janë fëmijët, sepse ata fillojnë rrugëtimin e tyre drejt dijes. Nga shtatori kujtime të veçanta ruajnë edhe ata që tashmë ka vite që përfunduan shkollimin fillor, por asnjëherë nuk i harrojnë uratat e as këshillat e prindërve apo familjarëve.

Njejtë si të tjerët, edhe Besarta Jashari, vajza e heroit Hamëz Jashari, fillimin e vitit të ri shkollor e kujton me shumë mall. Dje, ajo përcolli djalin e saj, Dylin, për në klasën e parë, ia dedikoi fjalët më të mira dhe mes rreshtash nuk la pa përmendur një kujtim që e ka nga dita e parë e shkollës e vitit 1994.

“Sot ditë festë, dita e parë e shkollës për shum fëmijë… këtë vit edhe për Dylin tim. Dita e parë e shkollës, është moment që mbetet përherë në kujtesë… derisa, rrugës e përcjella Dylin për në shkollë, mu kujtua dita ime e parë e shkollës në vitin 1994 – atëherë kur Familja jonë ishte e vendosur në rrugën e lavdisë kombëtare.

Kujtoj, që udhëzimet dhe uratat më të ngrohta erdhën nga baba Shaban – ndër mësuesit e parë në Drenicë, që ndër të tjera na kërkoj që rrugën e shkollimit ta ndjekim për të mirën tonë dhe të kombit. Po ashtu mbaj mend që motra Selvetja mua dhe vajzën e agjës Igballën na përcjelli në shkollë, që ishte mbështetje për neve në ato momente të paharruara gëzimi. Gëzimi ishte i njejtë si Dyli sot, por që ai po rritet edhe me lirinë dhe krenarinë shtetërore… andaj vlerësoj që rrethanat e ndryshuara për të mirën tonë, do të ndikojnë pozitivisht për vendin tonë përmës gjeneratave të reja.”, ishte postimi i Besartës.

Kujtojmë se Besarta është e mbijetuara e vetme e familjes Jashari./21Media