Mehmedi shkëlqeu në shfaqjen "Orfeo dhe Euridika"

Mehmedi shkëlqeu në shfaqjen “Orfeo dhe Euridika”

Në skenën e Tetovës, mezzosopranoja Besiana Mehmedi dha shfaqjen operistike “Orfeo dhe Euridika”, vepër e Christofor Wilibald Gluck. Kjo shfaqje u dha në kuadër të manifestimit “Vera e kulturës tetovare”. Me rolin kryesor në këtë shfaqje operistike, Besiana Mehmedi u kthye në këtë gjini pas dhjetë vitesh.

Ajo tha se opera është dashuria e saj më e madhe përkundër asaj që nga viti 2004, kur ka braktisur Teatrin në Tiranë dhe i është rrekur pedagogjisë shumë rrallë ka pasur mundësi të jetë pranë kësaj gjinie. E lumtur që ka arritur ta realizojë një rol të dashur për të që i takon mitologjisë ku besohej se dashuria është mbi gjithçka, ajo nuk harron pa potencuar se babai i saj dëshironte ta shihte në opera, andaj suksesin dhe performancën ia dedikon atij. Besiana Mehmedi bashkë me partneren Slavica Galic ka bërë performancë të habitshme.

Ata që për herë të parë e përjetonin si aktore ishin të fascionuar, ndërkohë e veçanta e mbrëmjes ishte se krah saj kishte përzgjedhur për rolin e Amores, Nita Ismailin, e cila diplomoi me këtë shfaqje, pikërisht në klasën e Besiana Mehmedit, e cila është pedagoge në Universitetin e Tetovës.

Efektet skenike, muzika, ambienti, loja e Andrej Naunov dhe regjia e Trajko Jordanovskit vërtetë lanë mbresa të jashtëzakonshme, ndërkaq solistja Mehmedi dëshmoi se është artiste e pjekur e skenës sonë dhe publiku dëshiron ta shohë sa më shpesh në opera./21Media