Giuseppe Conte kryeministër, Luigi Di Maio ministër i jashtëm

Giuseppe Conte kryeministër, Luigi Di Maio ministër i jashtëm

Kabineti i ri qeveritar në Itali është betuar sot pas nënshkrimit të një aleance midis Lëvizjes populliste Pesë Yjet dhe Partisë Demokratike të qendrës së majtë. Lëvizja e ekstremit të djathtë e Matteo Salvinit mbetet në opozitë.

Giuseppe Conte mbetet kryeministër i vendit dhe do të udhëheq një ekip të ri prej shtatë grave dhe 14 burrave. Luigi Di Maio, ish-zëvendës kryeministër dhe ministër i Punës dhe Industrisë, tani do të udhëheqë Ministrinë e Jashtme, shkruan rtv21.tv

Roberto Gualtieri nga Partia Demokratike do të udhëheqë Ministrinë e Ekonomisë dhe atë për Çështje Evropiane, derisa Luciana Lamorgese do të zëvendësoj liderin e Ligës Matteo Salvinin në postin e ministrit të brendshëm.

Ish-kryeministri Paolo Gentiloni duket se do të bëhet komisionari i ri i Italisë në Bashkimin Evropian.

Administrata e re duket e sigurt se synon të ketë më pak konflikte me Bashkimin Evropian, për dallim nga qeveria e kaluar, e cila vazhdimisht ka kundërshtuar rregullat e bllokut evropian për buxhet dhe migrim.

Emërimet e reja janë mirëpritur në bllok me presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker që e ka uruar Giuseppe Conten për qeverinë e re.

Jam i bindur se Italia do të jetë në gjendje të luaj një rol të rëndësishëm në adresimin e sfidave evropiane, dhe ti përmbushë përgjegjësitë e saj si një anëtare themeluese e Unionit“, ka thënë Juncker.

Qeveria e 67-të e Italisë nga Lufta e Dytë Botërore u ka dhënë më shumë hapësirë politikanëve të rinj dhe jo aq shumë atyre me përvojë.

Megjithatë kjo qeveri nuk do të ketë kompetenca të plota derisa të fitojë mocionet e votëbesimit në të dyja dhomat e parlamentit javën e ardhshme./21Media