Java e Bibliotekës që do të zgjasë deri me 16 prill

Java e Bibliotekës që do të zgjasë deri me 16 prill

Ka filluar sot edicioni i XV-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë, duke sjellë kështu këtë vit në qendër temën “E drejta e autorit dhe biblioteka”, shkruan rtv21.tv

Gjatë kësaj javë në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera si Ferizaj, Pejë dhe Prizren, do të ketë diskutime, ligjërata nga ligjërues të njohur, promovime të librave, konferenca shkencore, ekspozita, hapje të bibliotekave dhe shumë aktivitete të tjera. Për të folur për këto aktivitete e ftuar në emisionin Bon Bon në RTV21 ishte zëdhënësja e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Gresë Maliqi.

“Dy ditët e para do të mbahen në Prishtinë, ndërsa të enjten do të mbahet në Pejë, të premten në Prizren ku do të ketë konferenca të ndryshme, ku do të paraqiten bibliotekar nga Biblioteka e Kosovës, me kumtesa të tyre lidhur me temën bosht, pra të drejtën e autorit”, ka thënë Maliqi. Duke shtuar se edhe bibliotekat e qyteteve tjera organizojnë veprimtari kulturore për Javën e Bibliotekës.

“Disa bibliotekarë kanë vendosur të prezantohen me kumtesat e tyre në mënyrë që të sjellin sa më tepër në pah nevojat dhe ndoshta edhe problemet që i kanë me të drejtat e autorit, ditëve të sotme”, ka shtuar Maliqi.

Sipas saj, kumtesat të cilat do të lexohen gjatë kësaj jave, në edicionin e vitit 2018 do të botohen të gjitha në një libër. Njësoj sikurse këtë vit që janë botuar kumtesat të cilat janë lexuar vitin e kaluar.

Maliqi ka treguar se në aktivitete e Javës së Bibliotekës, janë të angazhuar punonjësit e bibliotekave, por studentët mund të jenë pjesë e aktiviteteve ku edhe mund të shpalosin idetë e tyre.

Për nder të kësaj jave, Biblioteka Kombëtare i ndau çmimin “Pjetër Bogdani” ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, për përkrahjen e tyre.

Java e Bibliotekës që do të zgjasë deri me 16 prill./21Media