Ky libër i kushtohet atyre që jetën ia falën atdheut

Ky libër i kushtohet atyre që jetën ia falën atdheut

Naser Hajrizi është shembull i një të riu që e deshi atdheun pa kushte dhe u përball me orët e rrezikut në mbrojtje të vendit. Kështu u tha sot në promovimin e librit “Bir i atdheut” të autorit Mehmet Hajrizi, që vjen si një rrëfim autentik për ngjarjet historike të viteve ’80-ta si dhe jetën e veprën e dëshmorit, Naser Hajrizi.

Dashuria e të rinjve të vitit 1981 dhe aktivizimi i tyre në lëvizjen kombëtare e shtynë, Mehmet Hajrizin ta shkruajë këtë libër, për të cilin tha se ia kushtoi kryesisht dëshmorit Naser Hajrizi, si përfaqësues i të rinjve të asaj kohe.

“Motivi kryesor, ajo që më ka frymëzuar ta bëj këtë libër është vrulli i të rinjve të lëvizjes kombëtare, përfaqësues i të cilëve ishte Naser Hajrizi, ndër më të rinjtë të organizuar dhe ndër dëshmorët më të rinj i kryengritjes së vitit 1981. Këta të rinj hynë në valët e trazuara të organizimit ilegal me vrull dhe formonin shpejt personalitetin e tyre, edukoheshin e kaliteshin piqeshin para kohe”, tha Hajrizi.

Redaktori i librit, Emin Kabashi tha se ky libër i kushtohet atyre që jetën ia falën atdheut e sipas tij, nuk përmban lavdërime apo fryrje të fakteve, por vetëm atë që ka ndodhur me të vërtetë.

“Ky përkufizim as nuk është romantizëm siç dëgjojmë sot e gjithë ditën nga neo-modernistët tanë andej kufirit të Shqipërisë londineze, as nuk është panegjirik që u thuret kryesisht figurave politike, sepse dëshmori i kombit Naser Hajrizi nuk kishte dalë në kryengritjen e vitit 1981 ku formohen themelet e socializmit jugosllav, për ta lavdëruar apo për ta ngritur në qiell si atdhetar të tjerët, qofshin ata shokët dhe shoqet e shkollës ku ai bënte mësimet, por kishte dalë në emër të lirisë e cila vinte vetëm me grykën e pushkës”, ka thënë Kabashi.

Drejtori i shtëpisë botuese “Libri shkollor”, Bajram Shatri foli për jetën e autorit, Mehmet Hajrizi ku ndër të tjerash e cilësoi si veprimtar të madh të çështjes kombëtare shqiptare.

“Nga gushti i vitit 2002, ishte për tri vite sekretar i përhershëm i kryeministrit të Kosovës dhe dy vite drejtor në zyrën për integrime evropiane. Që nga viti 2008, për shtatë vjet ishte shef i kabinetit dhe këshilltar i lartë i kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ka botuar veprat “Sporvat e çlirimit” në vitin 2004, “Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 81” më 2008 si dhe është bashkautor i librit “Këshilli Qendror për Financim i Kosovës”, ka thënë Shatri.

Për figurën e Naser Hajrizit foli edhe shkrimtari e publicisti Prend Buzhala, i cili tha se dëshmori Hajrizi është shembull i një të riu që e deshi atdheun pa kushte e u përball me orët e rrezikut në mbrojtje të vendit.