Bizneset e veriut me shumë probleme

Bizneset në veri janë informuar për mënyrën e qasjes në subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë

Për herë të parë rreth 20 biznese që veprojnë në veri të Mitrovicës, kanë qenë pjesëmarrëse në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe organizatën jo qeveritare “Aktiv” nga Mitrovica e Veriut. Në këtë takim bizneset janë informuar për mënyrën e qasjes në subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë.

Radomir Veliqkoviq nga fshatin Leshakë, që merret me përpunimin e mishit të freskët ka paraqitur një varg telasheve me të cilat ai tha se ballafaqohet si gjatë importit, sigurimin bankar dhe mungesën e inspektorëve të veterinarisë.

“Kemi një problem nëse e fitojmë grantin nevojitet që të kemi garanci bankare prej 100 mijë euro. Unë i kam kontraktuar bankat në veri, na kanë thënë deri në 50 mijë euro, nëse e fitoj grantin unë nuk do ta kem kushtin që të realizoj sepse nuk e plotësoj atë kusht. Kishim problem nëse e fitojmë një grant, unë e kam marrë një grant nga Komisioni Evropian, para se ta marrë atë kam shkuar në bankën time dhe kam kërkuar që të më garantojnë nëse e fitoj grantin që do të më mbështesin të miratoj kredinë në shumë prej 130 mijë eurosh por kur e fitova grantin ata më thanë ne nuk lëshojmë fare kredi në veri”, tha Veliqkoviq.

Kryetri i OEK, Safet Gërxhaliu, ka dhënë informatat se ekziston edhe fondi për garantimin e kredive, ku ata mund të kenë qasje më të lehtë për kredi-marrje.

“Ju thatë që nuk iu kanë dhënë kredinë. Sot janë 1 banka komerciale përveç kësaj kemi edhe fondin për garantimin e kredive bankare me mbështetjen e Qeverisë amerikane dhe USAID-it, fondi është goxha i madh. Ajo do të jetë një nga alternativat thjeshtë që 50 % të kredisë suaj të garantohet nga ky fondi i përbashkët i cili është bërë me qëllim si mbështetje për sektorin privat “, tha Gërxhaliu.

Ndërsa, Miodrag Miliqeviq drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Aktiv”, theksoi se çështjet ekonomike janë të rëndësisë vitale për zhvillimin e të gjitha bashkësive nacionale në Kosovë dhe që ky takim do të jetë kontribut avancimit të bashkëpunimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga veriu i Kosovës dhe institucioneve qendrore.

Zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Rodolub Mladenoviq u ka treguar se cilat janë mundësitë për të pasur qasje në grantet dhe se i ka njoftuar për çdo detaj dhe veprimtari të ministrisë. Po ashtu, ka thënë se shumë shpejtë do të zgjidhet edhe problemi i lëvizjes së lirë.

Në debatin e organizuar pjesëmarrësit, përfaqësues të bizneseve nga veriu u njoftuan në detaje lidhur me mundësitë e bashkëpunimit me MBPZHR dhe institucionet tjera të vendit por njëkohësisht i paraqiten probleme dhe pengesat e shumta me të cilat ballafaqohen në punën e tyre të përditshme.

Back to top button